Juventus-Inter/ Allegri dhe Spalletti projektojnë formacionet

Juventus-Inter po afron. Nesër në mbrëmje në “Allianz Stadium” do të vihet në skenë derbi i Italisë dhe një nga sfidat më të bukura dhe më të rivalizuar në futboll.

11 pikë është diferenca në klasifikim mes bardhezinjve dhe zikaltërve, por në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë dhe Interi nuk qëndron aspak inferior ndaj Juventusit që dominon futbollin italian prej 7 vitesh.

E premtja po afron dhe dy trajnerët Allegri dhe Spalletti kanë zgjidhur edhe dilemat e fundit përsa u përket formacioneve që do të zbresin në fushë.

Khedira dhe Barzagli janë mungesat e sigurta të Juves për arsye dëmtimi, ndërkohë që Spalletti në krahun tjetër i ka të gatshëm të gjithë futbollistët pasi edhe Radja Nainggolan pritet të grumbullohet për këtë duel, por me shumë gjasa do ta nisë ndeshjen nga stoli.

Allegri edhe në derbin e Italisë pritet të aplikojë skemën 4-3-3, me Szczesny në portë, mbrojtja me ishin e madh të sfidës Joao Cancelo në të djathtë, Bonucci dhe Chiellini në qendër dhe De Scglio në të majtë, duke marrë në konsideratë faktin që Alex Sandro vjen nga një dëmtim dhe nuk është në 100% të formës.

Në mesfushë do të veprojë treshja Pjanic, Bentancur, Matuidi, ndërsa sulmi do të përbëhet nga tre fantastikët, Dybala, Ronaldo, Mandzukic, edhe pse argjentinasi është në balotazh me Cuadradon për një fanellë titullari.

Tek Interi me skemën 4-2-3-1 në portë do të jetë si gjithmonë Handanovic, pikëpyetja më e madhe e Spallettit është në krahun e djathtë të mbrojtjes me Vrsalkjon që është kthyer nga dëmtimi por favorit mbetet D’Ambrosio.

Në qendër do të jetë muri i formuar nga dyshja Skriniar-De Vrij, ndërsa në të majtë i përhershmi dhe një tjetër ish i kësaj sfide, ganezi Asamoah.

Në mesfushë Vecino dhe Brozovic do të jenë para mbrojtjes ndërsa Joao Mario ka fituar duelin me Borja Valeron për të zëvendësuar Nainggolan në rolin e trekuartistit.

Politano dhe Perisic gjithnjë e më shumë në hije do të jenë mbështetësit e Icardit në krahët e sulmit me Balde Keitan që pavarësisht tre golave në 2 ndeshjet e fundit të Serie A, pritet ta nisë nga stoli.