Trembet qeveria, ja ç’u propozon studentëve

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka tentuar t’u përgjigjet thirrjeve të studentëve protestues, që kërkojnë  anullimin e vendimit të qeverisë për tarifën shtesë vendosur mbi provimet e mbartura dhe po ashtu, përmirësimin e kushteve të banimit në godina.

Nikolla bëri një hyrje të gjatë që nuk kishte lidhje me thelbin e çështjes, duke iu sjellë në vëmendje studentëve sesi qeveria kishte hequr dorë nga “universitetet kioska” dhe më pas, iu rikthye krahasimit të tarifave që ishin vendosur nga viti 2009 – 2013 dhe atyre që u vunë në vitet 2013 – 2017.

Por, në vijim të ligjëratës, u detyrua të pranojë se vendimi që kishte ngritur studentët në protestë, pika 4 e tij më saktë, nuk kishte hyrë në fuqi dhe nuk prekte asnjë student. Gjithashtu, ajo nuk kishte veprim prapaveprues. Ajo tarifë shtesë për studentët do t’u rëndonte studentëve të vitit të ardhshëm akademik, jo të atyre që ishin aktualisht në shkollë.

"Vërtet kërkojnë anulimin e një pike të një VKM-je, - tha ministrja, - por që nuk impakton dhe nuk ka hyrë në fuqi për këta studentë, sepse VKM nuk ka fuqi prapavepruese. Lidhet me studentët që futen sivjet në vit të parë dhe vitin tjetër ajo mund të ketë efekti. Por gjithësesi ne bëmë një diskutim shterues me rektorët dhe dekanët dhe janë po ata që do të adresojnë dhe patjetër unë jam e hapur që të ecim drejt një propozimi të Këshillit të Ministrave që kjo pikë t'u lihet tagër universiteteve dhe të mos jetë pjesë VKM-së".

Lidhur me kërkesën e studentëve për përmirësimin e kushteve të banimit në godinat e studentëve, Nikolla tha se janë dhënë disa milionë euro nga donatorët dhe se në vijim do të punohet për përmirësimin e kushteve.