VIDEO/ Përvëlimi për të rrafshuar Unazën: Nazifit i shembin shtëpi e biznes me emrin e dikujt tjetër

Çështja e banorëve të "Astirit" tani më është kthyer në kryefjalë të ditës, pasi banorët çdo ditë e më shumë nuk tërhiqen nga protestat dhe kërkesat e tyre.

Nazif Lekli, banor i zonës në një pronocim për  gazetarin Ermal Rizaj të Syri.net, tregoi se së fundmi i ka ardhur një letër nga ALUIZNI, ku thuhet se biznesi i tij që ishte deri dje në proces legalizmi, është skualifikuar.

Lekli tha: "Shtëpinë dhe biznesin që kam hapur që në vitin 1996, i kam hedhur për legalizim në vitin 2005. Tokën e kam blerë sipas rregullave dhe ligjeve me pronar të ligjit 7501. Unë prisja që ta merrja, sepse në 17 janar i bëmë një rifreskim dokumentacionit komplet. I futëm të gjitha letrat dhe ishte gati që ta merrni."

Lekli shprehet se në fillim të 2018, Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar Drejtorin e ALUIZNI-t që biznesi i tij të pajisej me çertifikatë pronësie, por kjo gjë nuk ndodhi.

Lekli: “Ministrisë së Drejtësië i kam bërë një ankesë që të përshpejtohet procesi i legalizimit. Më  thanë që shumë shpejt duhet ta merrni lejen e legalizimit, sepse toka është e juaja, gjithë procedurat ligjore janë në fuqi dhe të dyja objektet janë paralel.”

Ai deklaron se mori letrën, e cila i erdhi pasditen e 29 nëntorit, por, çuditërisht, e paqartë, pasi përveç emrit të tij, në të ka edhe një emër tjetër!

“Dje erdhi letra që ju skualifikoheni. Dhe më e forta, emri është imi dhe aty del një emër tjetër. Nga nxitimi që kanë bërë, se janë nxituar që sa më shpejt t’u çojmë letrat që skualifikoheni, këta kanë sjellë këtë letër ku thonë se pas gjithë procedurave... “kërkohet përjashtimi i objektit informal nga procesi i legalizimit për subjektin Enver Shukri Pira!" Se çfarë është kjo, s’e di!”

Sipas Leklit këto veprime që po bën qeveria janë të jashtëligjshëme, pasi banorët e Astirit nuk po njoftohen me letër zyrtare se për çfare po iu prishen banesat.

“Ne në radhë të parë kërkojmë letrat nga ARRSH, - tha ai. - Siç na ka sjellë për skualifikimin, le të na sjellë edhe  për banesat që do të prishen. Po nuk sollën letrën, ta harrojnë...Ata mund të vijnë me dhunë e me Polici, por ne thamë ta bëjmë si njerëz."

Banori i zonës së Unazës së Re theksoi se protestat do të vazhdojnë, derisa qeveria të gjejë një zgjidhje tjetër, jo këtë të nxjerrjes së qytetarëve në mes të katër rrugëve./ar.sh/SYRI.NET