Denoncon deputetja e LSI: Deputeti i PS-së përmirëson metodat për vjedhje votash në Skrapar

Deputetja e LSI-së, Silva Caka, denoncon se si deputeti i PS në Skrapar, ka gjetur metoda të reja për të vjedhur votën e qytetarëve. Ajo thotë se punësimi për arsye elektorale, ka arritur kulmin pasi për vetëm muajin tetor, janë punësuar 76 mësues të rinj.

Nga ana tjetër, Caka i bën thirrje prokurorisë që të nis hetimet.

Postimi i plotë

Pasi e njoftuan administratën publike se në takime do t’u vinin Zv. Ministrat respektivë të fushës, e në vend të tyre u dilte si Fanti Spathi, deputeti i padëshiruar i Rilindjes në Skrapar, tashmë Fanti Spathi ka elaboruar metoda të reja për t’u vjedhur votën qytetarëve të Skraparit.

Kuadri ligjor i arsimit në Shqipëri, me gjithë problemet që e karakterizojnë, ka të përcaktuar shumë qartë një rregull, sipas të cilit numri i nxënësve dikton edhe numrin e mësuesve: rritja e numrit të nxënësve, rrit edhe numrin e mësuesve, ashtu siç ulja e numrit të nxënësve ul numrin e mësuesve.

Mirëpo Fanti Spathi e përmbys rregullin sipas interesave elektorale, duke punësuar jo pak, por 76 mësues të rinj vetëm për muajin tetor.

Konkretisht, në shtator të këtij viti, Zyra Arsimore e Skraparit deklaronte 157 mësues, ndërsa muaji tetor që lamë pas shënon 233 mësues të deklaruar nga Zyra Arsimore Skrapar. Ndërkohë që numri i nxënësve në Skrapar shënon shifrën më të ulët të nxënësve ndër vite; viti 2016 shënonte 1871 nxënës, viti 2017 shënonte 1627 nxënës dhe viti 2018 shënon 1550 nxënës, pra 321 nxënës më pak!!!

Duke mos iu futur fare analizës se a e kanë arsimin përkatës këta mësues të rinj që mbijnë si kërpudhat pas shiut të shtatorit, mjaftohem me qëllimin e gjithë kësaj maskarade: kontrata pune fiktive në këmbim të votave për zgjedhjet e ardhshme.

Nuk e di a kanë ngelur më struktura shtetërore të cilat duhet të reagojnë ndaj kësaj vjedhjeje, por gjithsesi i bëj thirrje Prokurorisë të reagojë e të hetojë sa më parë këtë abuzim me paratë e shqiptarëve.