Ish-presidenti bën thirrje: Izolim ekonomik Serbisë
Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar pas votës kundër për pranimin e Kosovës në organizatën e Interpol.
Me një mesazh në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ish-presidenti Nishani thekson se kjo votë ishte veçse mbajtja gjallë e armiqësive në vend të pajtimit.
Po ashtu i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të nisë një politikë izolimi ekonomik e politik ndaj platformës destruktive të Serbisë.
Reagimi i plotë i ish-presidentit Bujar Nishani:
Votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk është gjë tjetër veçse mbajtja gjallë e armiqësisë në vend të pajtimit, është nxitje e urrejtjes në Ballkan në vend të mirëkuptimit, do të thotë mburojë për krimin e organizuar në vend të sundimit të ligjit.
Kjo ‘aleancë anti’, është një reminishencë e vjetër për të gjalluar hegjemoninë serbe kundër popujve të tjerë të Ballkanit.
Turp !
Shqipëria duhet të iniciojë me vendet e tjera të Ballkanit një proçes izolimi ekonomik e politik ndaj platformës destruktive të Serbisë e cila vazhdon të investohet me aleatët e saj në minimin e paqes dhe stabilitetit të Ballkanit.