Uellsianët do bëjnë ‘ligjin’, ja sa tifozë nga vendi i Gareth Bale do jenë në ‘Elbasan Arena’

Shqipëria do të përballet në një takim miqësor ndaj Uellsit, që është planifikuar të luhet ditë e nesërme në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore dhe të dyja skuadrat vijnë pas dështimit në Ligën e Kombeve, interesi i tifozëve miq pritet të jetë tepër i lartë.

Federata e Uellsit ka porositur mbi 2300 bileta për sfidën e nesërme, teksa me shumë gjasa do të jenë uellsianët ata që do të bëjnë ligjin në “Elbasan Arena”.

Vendi jonë është shndërruar në një nga destinacionet e preferuar për ishullorët që përfitojnë nga ndeshja për të kaluar disa ditë pushime në Shqipëri.

Ndryshe nga skocezët që preferuan Tiranën e Shkodrën, uellsianët kanë zgjedhur vendet historike si Berati e Kruja për të kaluar ditët e pushimeve para dhe pas ndeshjes.

Një pjesë e mirë e tifozëve uellsianë kanë mbërritur në Shqipëri dhe janë bashkuar me ata skocezë, që tashmë janë bërë si të shtëpisë.