Grezda: Panucci na foli për problemet që kishim kundër Skocisë

Eros Grezda e ka të vështirë ta shpjegojë atë humbje turpëruese me Skocinë në “Loro Boriçi”.

Sulmuesi i Glasgow Rangers thekson së ekipit po i mungon eksperienca e lojtarëve të tillë si Roshi dhe Sadiku.

Si është gjendja në skuadër pas humbjes?

Jemi në situatë të vështirë. Mënyra e vetme është të qëndrojmë më kokën lart.

Çfarë ju tha trajneri Panucci pas kësaj humbjeje?

Ishte një mbledhje e zakonshme, si pas çdo ndeshjeje. Trajneri na foli për problemet që kishim dje. Kemi edhe një takim tjetër, kështu që duhet të mbajmë motivimin lart.

Ju pamë që mbanit akull pas ndeshjes…

Kisha probleme me Rangers, megjithatë u ndjeva mirë, edhe pse vetëm në seancën e fundit u stërvita me grupin. Ai karton i kuq na dëmtoi shumë. Më shqetësoi pak pulpa, por nuk është asgjë serioze.

Skuadra ka humbur shumë që nga ajo miqësore e fituar me Turqinë...

E vetmja ndeshje që duhet të marrim shembull është ajo me Turqinë. Ka lojtarë si Sadiku dhe Roshi që mungojnë, nuk është njësoj pa ta. Duhet të japim maksimumin. Kemi shumë diferencë nga viti kaluar. Duhet të bëhemi grup.

Keni biseduar me trajnerin se çfarë mund të ndryshohet?

Kemi folur, sigurisht. Secili lojtar ka folur se ku duhet të përmirësohemi.Ju kanë ngacmuar shokët e skuadrës te Rangers pas kësaj disfate të thellë?

Isha shumë i nevrikosur. Nuk është e lehtë të humbësh në shtëpi 4-0. Nuk u ndjeva mirë. Ishin shumë rrethana që ne e humbën ndeshjen me atë rezultat.

Nuk kemi lojtarët e duhur për të zëvendësuar të dëmtuarit?

Nuk është se nuk kemi lojtarë cilësorë. Eksperienca e tyre do të thotë shumë për ne. Nuk është njësoj të luash si me klubin dhe me Kombëtaren. Për të qenë këtu duhet eksperiencë.

Tifozët kuqezi janë të pakënaqur, çfarë duhet bërë ndryshe me Uellsin?

Më vjen shumë keq për ata që u zhgënjyen, sepse ishte rezultat i thellë. Kanë treguar gjithmonë se janë lojtar i 12-të. U bëj thirrje që të na përkrahin prapë. Shpresoj t’i bëjmë krenarë.