PSG ‘shëtitje’ në Principatë, Monaco zhytet në krizë

Paris Saint Germain vijon të thellojë nga java në javë rekordin e fitoreve radhazi, teksa sot mori edhe triumfin e 13-të në po kaq ndeshje të kampionatit, duke shkuar në kuotën e 39 pikëve, plot 13 më tepër se Lille e vendit të dytë.

Kampionët në fuqi nuk u kursyen në transfertën ndaj Monacos në Principatë, teksa arritën të tregojnë supremacinë e tyre, duke fituar me rezultatin e thellë 0-4, në një sfidë që e bënë të dukej shumë e lehtë.

Edison Cavani ishte protagonist i padiskutueshëm i fitores, duke shënuar 3 herë dhe duke merituar të marrë në shtëpi topin e sfidës, ndërsa rezultati 0-4 u vulos me golin e yllit brazilian Neymar, pak minuta nga fundi i takimit.

Nga ana tjetër, Monaco vijon të mbetet në krizë, edhe nën drejtimin e trajnerit Thierry Henry, ndërsa renditet në vendin e parafundit me 7 pikë, aq sa ka edhe Dijoni i vendit të fundit dhe rrezikon seriozisht rënien nga Ligue 1.