VIDEO / Kamer Qaka bëhet hero, i shpëton jetën kundërshtarit në fushë

Kamer Qaka është bërë protagonist përsëri në Rumani. Këtë herë jo me një gol apo me një asist, por me një ndërhyrje vendimtare. Jo nga ato për të hequr topin, por për të shpëtuar një jetë njeriu.

Në ndeshjen e luajtur të premten, kundër Universitatea Kraiova, mesfushori i përfaqësueses shqiptare u tregua më i shkathëti të reagonte pas një momenti kur kundërshtari i tij, Valentin Mihaila, mbeti pa ndjenja në fushë pas një goditje në nofull. Qaka jo vetëm ishte i pari që reagoi duke thirrur mjekët të ndërhynin, por edhe shkoi me shpejtësi te 18-vjeçari i cili ishte pa ndjenja në fushë dhe e ktheu me shpejtësi në krah.

Një lëvizje e tillë është e këshillueshme në raste të tilla pasi ndihmon në lirimin e frymëmarrjes e cilësohet si vendimtare në rastet e para dhe Qaka veproi para mbërritjes së mjekëve pranë lojtarit të shtrirë pa ndjenja. Kjo ndërhyrje mund t’i ketë shpëtuar jetën adoleshentit, i cili kishte nxjerrë nofullën dhe rrezikonte të kalonte poshtë gjuhën.

Më pas, edhe futbollisti shqiptar u përfshi nga emocionet e momentit dhe shihte i dëshpëruar me duart në kokë ndërsa mjekët po përpiqnin të përmendnin lojtarin i cili u transportua me urgjencë në spital. Ndeshja vazhdoi edhe pse shumë prej lojtarëve ishin tronditur nga ajo që kishin parë, me disa prej tyre që u përlotën apo u ulën të luteshin në fushë.

Për fat të mirë, Mihaila u përmend në spital dhe gjendja e tij është stabilizuar. Ndaj me siguri Qaka ka dalë i lumtur nga fusha e lojës edhe pse ekipi i tij u mund me shifrat 3-0. Në jetë ka gjëra më të rëndësishme se një ndeshje futbolli./ Vip Sport