Zbulohet e kaluara e atentatorit të Emiljano Boçit, Hektor Xhecuka dyshohet si vrasës...

Detaje të reja për autorin e dyshuar të vrasjes së Emiljano Boçit 32 vjeç më 14 janar në kryeqytet. Tori (Hektor) Xhecuka dyshohet të jetë vrasës me pagesë. Ai përdorte të dyja emrat për t’iu shmangur drejtësisë.

Ai është person me precedent të mëparshëm penal. Ai është arrestuar në 25 Shkurt 2015 në pikën kufitare 3 Urat në Përmet. Në atë kohë, Xhecuka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.

Rreth 10 muaj më parë, në rrugën “Shefqet Musaraj” në zonën pranë ish-parkut të autobusëve, Tori Xhesuka qëlloi me armë Emiljano Boçin dhe mikun e tij Melvin Disha. Të dy mbetën të plagosur fillimisht, por 32-vjeçari Boçi ndërroi jetë sapo mbërriti në spital. Viktima u qëllua në automjetin e tij pasi kishte dalë nga një restorant, i shoqëruar edhe nga e dashura. Kjo e fundit u shpëtoi për mrekulli plumbave.

Policia nuk ka dhënë të tjera detaje për ngjarjen, për shkak të sekretit hetimor. Nuk ka ende informacion rreth porositësit të vrasjes. Në atë kohë Policia e Tiranës po hetonte në pistën e prishjes së pazareve të drogës. Kjo për shkak se viktima Emiljano Boçi udhëtonte shpesh drejt Holandës dhe Gjermanisë, dhe ishte i dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal. Nuk dihet nëse kjo pistë e policisë qëndron akoma, megjithatë hetuesit janë duke marrë në pyetje vrasësin Tori (Hektor) Xhecuka.