VIDEO/ Salihi kujton golin ndaj Norvegjisë: Ishte më i veçanti

Sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi, gjeti rrugën e rrjetës në kampionatin austriak pas afro 2 muajsh. Mosha për Salihin është thjesht një shifër, teksa dëshira për të shënuar mbetet gjithmonë e njëjtë.

34-vjeçari foli nga Austria për emisionin “Zona Gol”, duke bërë një rrëfim 360 gradë. 

Salihi zgjodhi Tiranën e sezonit 2006-2007 si skuadrën më të formuar të Kategorisë Superiore ku ai është aktivizuar.

Ndërkohë që për sa i përket golit më të bukur në karrierë, shkodrani ka zgjedhur atë kundër Norvegjisë, ku Shqipëria fitoi 1-0 në transfertë pikërisht falë perlës së tij.

Viti i fundit si futbollist dhe e ardhmja...

Në ditët e sotme, duhet të kesh një motiv shumë të madh që të stërvitesh fort e të japësh 100% në çdo stërvitje. Duhet menduar dhe mbyllja e karrierës. Te klubi ku po luaj mendoj se kam më shumë mundësi për të vazhduar jetën pas futbollit të luajtur. Ky besoj se do të jetë viti i fundit që do të luaj. Në disa raste kam qenë dhe pjesë e stafit, edhe pse jo zyrtarisht. Që nga janari, mund të jem zyrtarisht pjesë e stafit. Nëse do të jemi lart në klasifikim, do të përqendrohem tek pjesa e lojtarit, në të kundërt do të bëhem pjesë e stafit.

Largimi nga Superiorja dhe rikthimi në Austri…

Të them të drejtën, pas periudhës që kalova në Shqipëri, e kisha vendosur të kthehesha në Vjenë. Aventurat me Rapidin dhe Austrinë e Vjenës ishin të vështira. Zgjedhjen që bëra për të luajtur tek Neustadt, e vendosa për familjen, në mënyrë që të jem pranë tyre.

Ekipi shqiptar që ka mbetur i skalitur në kujtesë…

Tirana e vitit 2006-2007 ishte ekipi më i formuar dhe me më shumë cilësi në krahasim me Skënderbeun. Pavarësisht se në Korçë kam kaluar një periudhë të mirë, Tirana me Nevil Deden, Bulkun, Mukën etj., është ekipi më i mirë i viteve të fundit në Shqipëri.

Goli më i veçantë në karrierë…

Goli në Norvegji ishe më i veçanti në karrierën time.