Gjuriç, presion serbëve për të mos u futur në ushtrinë e Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, në një intervistë për “Alo”, ka thënë se tentativat për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës sipas tij janë shkelje e marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

“Përgjegjësi kryesor për ruajtjen e sigurisë në Kosovë është KFOR-i. Është një arsye se pse Prishtina po dëshiron ta formojë ushtrinë  dhe ajo është shkelja e ligjeve dhe dëshirës për raporte normale. Serbët nuk duhet të marrin pjesë në një projekt të tillë, sepse do të bëheshin armë në duart e armiqve tanë”, ka thënë ai.

Gjuriç foli edhe për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën tha se çdo veprim i njëanshëm i Prishtinës mund të ndikojë në situatën e sigurisë në atë pjesë.