Vrsaljko: E nisëm sezonin keq, por e kemi marrë veten

Një nga afrimet e merkatos së verës tek Interi është Sime Vrsaljko, i cili i ka dhënë një tjetër impuls lojës në krah, bën me dije Syri.net.

I ardhur nga Atletico e Madridit, kroati e pranon se është përshtatur më së miri në Itali, teksa për “Sky” ka folur edhe për çështjen e Serie A dhe Championsit.

“Kampionatin e nisëm keq, por tani jemi në rrugën e duhur. Mund të përmirësohemi edhe më shumë. Kemi një skuadër shumë të fortë, ku mund të shkojmë larg. Sezoni është i gjatë, por do ta marrim hap pas hapi dhe të shohim se ku do të përfundojmë”, tha mbrojtësi i krahut të djathtë.

Më tej Vrsaljko shtoi: “Shpresoj që të luaj në Champions League edhe në sezonin tjetër. Jam shumë i lumtur që jam bërë një lojtar i Interit. Jam i lumtur në Itali dhe me këta shokë ekipi, po përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Mund të rritemi në çdo aspekt të lojës, po luajmë mirë dhe duhet të mundohemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Në Champions League duhet të kalojmë grupin, më pas do të shohim se deri ku mund të shkojmë”.