Kukësi-Flamurtari, Daja kundër Disiplinës: Le t’ia heqin edhe Veliut kartonin e verdhë

Në prag të ndeshjes kundër Kukësit, trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja ka analizuar përballjen në transfertë ndaj verilindorëve.

Në një deklaratë për mediat, tekniku i vlonjavëve komentoi edhe vendimet e Komisionit të Disiplinës

“Kukësi ka bërë më mirë se ne deri në këto momente, por ne kemi një bonus që në ndeshjen direkte të fazës së parë kemi marrë fitore. Luajmë në transfertë, në një fushë asnjanëse, që do të thotë se të tre rezultatet janë brenda. Duhet të bëjmë atë lojë që zhvilluam në pjesën e parë ndaj Teutës”, tha ai.

Prania e tifozëve- Ndeshja me tifozë është gjithmonë më e mirë, edhe nëse ata mbështesin vetëm ekipin kundërshtar. Do të mendoj anën pozitive, prania e tifozëve është motivuese, qofshin këta kundërshtarë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinë- Nuk e di çfarë mund të ndodhë deri në momentin e ndeshjes. Ne kemi punuar gjatë gjithë javës me Bathën në formacion, por tani nuk e kemi, meqë e dënoi Disiplina. Do ta ndiejmë shumë mungesën e tij. Më mirë të presim orarin e ndeshjes për të parë se kë kemi në dispozicion.

Nuk mund të merret vendim me pamjet filmike, sepse aty kanë qenë të gjithë arbitrat. Sepse i bie që edhe neve të na heqin 3 kartonë të verdhë që i kemi marrë pa të drejtë. Nëse përdorim pamjet Veliut i hiqet kartoni sepse nuk e ka prekur fare kundërshtarin. Nuk mund të merren vendime mbi vendimet e gjyqtarit.