Rama neverit ‘kazanët’, ia kthen Manjani: ‘Kazanët’ vlojnë nga zjarri që ndez qeveria!

Pas deklaratës së kryeministrit sot se neveriste mediat që jepnin lajme të rreme ose ndryshe “kazanët”,  ka reaguar Ylli Manjani, - ish-ministri i tij i Drejtësisë.

“Kryeministri, në vend të ndalojë “zjarrvënien”, kërkon hesap përse vlon kazani! – i kthehet Manjani në FB. - Në vend të bëjë publike veprimtarinë e “tepsisë”, fajson “kazanët” që thjesht japin lajme nga Tepsia...

Logjika top! Transparenca zero! Rrejnë edhe kur thonë ndonjë të vërtetë!

Prandaj zotëria i do mediat jo vetëm kazanë, por edhe të mos vlojnë kur iu vihet zjarri.

Të fala lirisë së shprehjes! Shumë të fala gjithashtu edhe Këshillit të Europës, OSBE e NATO ku dhe jemi anëtarë!” përfundon me irni Manjani.

Reagimi i Manjani ka ardhur pasi Rama përgënjeshtroi më herët në Twitter mediat që njoftuan shkarkimin nga detyra të Avokates së Popullit Alma Hiçka.

Rama shkroi: "Kazanët po ziejnë një broçkull për "shkarkimin" e Alma Hickës. Në fakt Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses."