Presidenca shqiptare/ Turp dhe e papranueshme parulla dje në ‘Selman Stërmasi’

Zëdhënësi i presidentit të republikës, Tedi Blushi, e ka cilësuar të papranueshëm sjelljen e tifozëve të partizanit një ditë më parë në stadium, gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu.

I pyetur nga gazetarët për banderolën e shpalosur dje në stadium e cila lidhej me ngjarjen e Bularatit, ku mbeti i vrarë 35 vjeçari grek, Blushi thekson se presidenti meta, kërkon hetim dhe transparencë të ngjarjes.

‘Presidenti i Republikës, SH.T.Z Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.

Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.

Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke.

Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë’, deklaroi Blushi.