Tiranë-Durrës me lekë/ Zbardhet propozimi, është kërkuar nga një kompani private

Shumë shpejt kalimi në autostradën Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë.

Ministria e Energjisë pranoi se po shqyrton një propozim të pakërkuar për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes dhe zgjerimit për rrugën me qarkullimin me të madh në Shqipëri.  

‘Për Autostradën Tiranë-Durrës është paraqitur një propozim, i cili po analizohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për një propozim, ku i gjithë investimi do të kryhet nga privati dhe kalimi në rrugë do të jetë me pagesë,’- deklaroi Ministria e Infrastrukturës në një sqarim zyrtar të shpërndarë për mediat.

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, koncesioni i rrugës Tiranë-Durrës ka një vlerë prej 49.1 miliardë lekësh ose 330 milionë euro. Sipas planit, këto para privati do i investojë për të zgjeruar rrugën me korsi shtesë si dhe për mirëmbajtjen e saj për një periudhë deri në 30 vjet.

Në këmbim përgjatë kësaj kohe qytetarët shqiptarë do të paguajnë tarifë sa herë që kalojnë në rrugën Durrës-Tiranë. Ministria e Infrastrukturës nuk e ka bërë publike se sa është tarifa e kalimit që ka propozuar kompania private në ofertën e pakërkuar të koncesionit.

Paralelisht nuk dihet ende nëse veç tarifës do të ketë edhe një trafik minimal të garantuar nga buxheti i shtetit, ashtu si në rastin e koncesionit të rrugës Durrës-Kukës. 

Pagesë dyfish

Rruga Tiranë-Durrës është aksi me qarkullimin më të madh në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë segment qarkullojnë mesatarisht 35 mijë mjete në dirë, por në periudhë piku trafiku ditor kërcen edhe mbi 50 mijë mjete.

Aktualisht kalimi në këtë rrugë është pa pagesë dhe mirëmbajtja kryhet nga fondet e buxhetit të shtetit. Por gradualisht qeveria shqiptare po i kthen të gjitha rrugët me pagesë.

Edhe pse këto rrugë janë ndërtuar me fonde publike, qeveria ka nisur t'i koncesionojë në seri tek privatët, duke e bërë kalimin në akset më të rëndësishme të vendit me para, një fenomen që nisi me rrugën e Kombit. 

Aktualisht taksapaguesit shqiptarë paguajnë mbi 200 milionë euro në vit taksë qarkullimi në çmimin e karburanteve.

Në çdo litër karburant që shitet në treg, qytetarët paguajnë 27 lekë si taksë qarkullimi, e cila duhet të garantojë lëvizjen e tyre optimale në rrugët e vendit.

Por përveç kësaj fature shumë të kripur, tashmë ata do të jenë të detyruar të paguajnë edhe për të kaluar në rrugë, këtë herë për llogari të koncesionarëve privat.

Shumë ekspertë e kanë cilësuar bërjen e rrugëve me pagesë si një taksë të dyfishtë, pasi sipas tyre qytetarët e paguajnë aktualisht taksën e qarkullimit tek çmimi i karburanteve.