Ish-gjyqtari Jemini kritikon: Partizani-Skënderbeu, duheshin 12 minuta shtesë

Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës prodhoi shumë tension. Vendasit protestuan ashpër për vendimet e kryesorit Hamiti, i cili sipas tyre ndikoi në rezultatin e ndeshjes.

Ish-gjyqtari ndërkombëtar, Lorenc Jemini, në analizën e bërë në emisionin “Proçesi Sportiv” në lidhje me rastet e diskutuara në Vlorë, doli në konkluzionin se gjyqtari gaboi, pasi në një moment Batha duhej ndëshkuar me karton të kkuq, ndërkohë që golin e Torasës në fundin e ndeshjes, gjyqtari e anuloi me hamendje.

“Goli i Alvesh është në pozicion të vështirë për t’u gjykuar. Por kur është në vijë të drejtë në moment dyshimi, favorizohet sulmi.  Pastaj nuk ka faull të Veliut ndaj Latif, nëse do të kishte do të ishte brenda. Veliu nuk ka prekur asnjë. I kam parë 50 herë pamjet. Lojtari nuk ka prekur fare asgjë, nuk ka faull. Fati i keq i këtij faulli është se nga ai erdhi goli.

Ka probleme që është acaruar, kjo ndeshje ka pasur tension, edhe kartonë e ndërhyrje, edhe intensitet. Ky rasti i Bathës nuk duhej të kalohej pa karton të verdhë, ky i Bathës në fakt është karton i kuq, por nuk i ka dhënë karton asnjërit. Ai i Bathës është karton i kuq. Duhet dhënë masë disiplinore këtu.

Te goli në fund, arbitri ka zero pamje, e ka dhënë vendimin me hamendje, totalisht. Po ta shihni mirë, asistenti ikën drejt qendrës se miraton golin”, u shpreh ish-gjyqtari Jemini.

Ndërkohë Jemini vuri në pah se në futbollin shqiptarë luhet shumë pak lojë efektive. Ai tregon se mbajti me kronometër ndeshjen Partizani-Skënderbeu nga minuta e 60 deri në 90, ku u luajtën vetëm 14 minuta lojë efektive.  Sipas Jeminit me ndalesat e bëra, duhej që gjyqtari të japë 12 minuta shtesë.

“Nuk janë vetëm arbitrat ata që ndërpresin lojën me faulle. Unë mbajta me kronometër tre ndeshje, edhe sot, nga minuta e 60 në të 90 se është momenti kur lojtarët e arbitrat gabojnë më shumë. Konkluzioni është se në Partizani-Skënderbeu, në 30 minuta lojë, u luajt rreth 14 minuta lojë efektive. Te Laçi me Kukësin është luajtur 13 minuta e 48 sekonda. Te ndeshja Flamurtari-Teuta është luajtur 14 minuta e 30 sekonda.

Në “Selman Stërmasi” kishte vetëm 11 faulle, por nuk është vetëm ndalesa e gjyqtarit për faulle që e sjell këtë. Shikoja sot që shkoi një goditje këndi te Partizani me një ndërrim plot 1 minutë e 48 sekonda, Një dëmtim shkoi 2 minuta, një faull të zona shkoi një minutë e 48 sekonda. Ishin edhe zëvendësimet, në fund u dhanë 5 minuta, duhej të jepeshin po të mblidheshin këto 12 minuta shtesë”, u shpreh Jemini.