Reagon Lopetegui, ka një mesazh pas shkarkimit nga Reali

Julen Lopetegui ka falënderuar Real Madridin pasi ai u shkarkua vetëm dy muaj pas fillimit të sezonit të ri.

Prej kohësh Reali rezultate shumë të dobëta, por humbja turpëruese 5-1 në “El Clasico” ndaj Barcelonës ishte fatale për Lopeteguin.

“Pas vendimit të bordit të drejtorëve të Real Madridit, unë dua ta falënderoj klubin që ma dha këtë mundësi”, tha fillimisht ai.

“Gjithashtu, dua t’i falënderoj futbollistët për punën e tyre, si dhe çdo punonjës, për respektin e treguar ndaj meje”, vijoi ai.

“Dhe natyrisht, isha i nderuar me mbështetjen e tifozëve. Uroj më të mirat për pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh Lopetegui.

Momentalisht, Reali renditet në vendin e nëntë në La Liga dhe në vend të Lopeteguit, e ka emëruar Santiago Solarin trajner të përkohshëm.