A ishte vajza e presidentit të Leicester në helikopter? Zbulohen detaje të reja

Lajmi se helikopteri i presidentit të Leicester Cityt, Vichai Srivadhanaprabha, u përplas mbrëmjen e djeshme, pasi po ngrihej nga stadiumi i “dhelprave”, tronditi të gjithë botën e futbollit në Angli, dhe jo vetëm.

Edhe pse kanë kaluar shumë orë nga kjo ngjarje e rëndë, ende nuk ka asnjë komunikim zyrtar, qoftë nga autoritetet angleze, apo qoftë edhe nga klubi i Leicesterit, në lidhje me faktin se kush ka qenë në bord në momentin e përplasjes, apo edhe nëse ka të mbijetuar apo jo.

Gjithsesi, burime nga familja e presidentit tailandez, thonë për BBC se ai ka qenë në bord në momentin e përplasjes së helikopterit.

Raportohet gjithashtu se helikopteri numëron 5 vende në bord. Në fillim u tha se në helikopter, ka qenë edhe vajza Voramas Raksriaksorn, por tashmë mediat angleze thonë se ajo nuk ka qenë brenda në momentin kur helikopteri është ngritur, për të përfunduar më pas mes flakëve pas rrëzimit, nga një defekt ku motori ndaloi së punuar.

Ndërkohë, të shumtë janë tifozët e Leister Sitit, që janë mbledhur jashtë stadiumit, duke vendosur lule e duke u lutur për presidentin e ekipit të tyre.