Kalari: Klubi ka rregulla, jam gati për Skënderbeun

Në krah të trajnerit Skënder Gega, në konferencën për shtyp për ndeshjen me Skënderbeun, ishte Renaldo Kalari, i cili pritet të aktivizohet në vend të të pezulluarit Trashi në krahun e majtë.

Jeni gati për ndeshjen e së hënës?

Sakrifikova gjysmën e stërvitjes për të mos pasur më shumë probleme, pasi kisha një kontraktim i vogël, por sot jam i gatshëm 100% për ekipin.

E ndjeni peshën e përgjegjësisë për të zëvendësuar Trashin?

Vlerat e Trashit dihen jo vetëm për ekipin tonë, por për të gjithë kampionatin shqiptar. Peshën e përgjegjësisë e kam pasur që kur kam nisur të luaj futboll. Kam vite që luaj te Partizani, nuk është hera e parë dhe është normale për mua.

Çfarë ka ndryshuar sivjet te Partizani?

Shumë gjëra, si lojtarët, drejtuesit, trajneri. Është diçka tjetër, po mundohemi që të përshtatemi edhe më shumë me idetë e trajnerit.

A ka ndryshuar rruga për të shkuar te titulli?

Rruga është e njëjtë, pasi edhe vitet e tjera kemi pasur objektiv të shpallemi kampion, por për shumë arsye nuk ia kemi arritur. Duhet të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të njëjtin drejtim që jemi.

Besoni se do ta kaloni me sukses sfidën ndaj Skënderbeut?

Skënderbeu është skuadër për t’u vlerësuar, por gjithsesi ne jemi Partizani, kemi besim dhe jemi përgatitur si ndeshjet e tjera. Kjo nuk bën përjashtim. Është ndeshje pak e veçantë, por nuk do të vendosë gjë. Thjesht janë 3 pikë që na çojnë më sipër.

A keni një mesazh për tifozërinë?

Shpresoj dhe besoj se tifozët do të jenë të shumtë, janë lojtari i 12-të. Nuk kam çfarë mesazhi t’u jap, ata e kanë treguar veten sidomos në ndeshjet e forta në fushën tonë. Thjesht të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë për 90 minuta.

Çfarë bisedoni mes lojtarëve për çështjen “Trashi”?

Që prej fillimit që kemi nisur përgatitjet, gjërat kanë shkuar mirë. I dimë rregullat e klubit dhe të trajnerit. Jemi munduar dhe do mundohemi t’i kthejmë trajnerit trajtimin në të njëjtën mënyrë, nga unë i madhi deri te më i vogli. Trashi bëri një thyerje disiplinore dhe nuk besoj se ka pse të bëhet kaq e madhe. Klubi ka rregullat e veta.