PD: Kush e bllokoi të enjten arrestimin e Dakos? Duhej të ishte në burg me Ndokën dhe Çukon!

Partia Demokratike deklaroi sot se kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako duhej të ishte arrestuar LIVE, në studion televizive, ku ai bëri deklaratat e fundit të bujshme, por dikush atë po e mbron dhe e ka shpëtuar nga arrestimi, i parashikuar të enjten që sapo shkoi.

Deputeti i PD Gent Strazimir tha nga selia e PD-së se “Vangjush Dako ka qindra faqe përgjime me bandat në Durrës. Ka qindra telefonata me bandat, me të cilat bën pazar për blerjen e votave, në këmbim të favoreve, lejeve, punësimeve, tenderave, pasurive publike të Durrësit.  Në fund i falënderon për “kontributin” në rezultatin elektoral të Partisë. Përgjimet e bëra publike deri tani janë vetëm fillimi.  Ato nuk janë as 1 përqind e aktivitetit kriminal të Vangjush Dakos, por përgjimet faktojnë se një ditë para zgjedhjeve, më 24 qershor, bandat e shtabit elektoral të Ramë kanë blerë vota për tepsinë e Edi Ramës. 

Përgjimet provojnë se dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor, Vangjush Dako ka komunikuar përsëri me bandën e Avdylajve që i bleu votat, duke kërkuar takim me shefin e bandës për ta falënderuar dhe për të vazhduar pazaret në tepsinë e Edi Ramës. 

Vangjush Dako pranon publikisht se në cilësinë e “supermenit” që njeh çdo qytetar të Durrësit, me adresë dhe numër familjarësh, madje më mirë dhe më shpejt se sistemi elektronik i gjendjes civile, ka komunikuar me përfaqësuesit e “familjeve të mëdha e të fuqishme”, me vetëdije të plotë që fuqia në Durrës është në duart e familjeve mafioze. 

Vangjush Dako pranoi edhe publikisht se për shkak të kontakteve me ta, ka arritur “rezultat historik si drejtues politik i Partisë Socialiste” në Durrës.

Në një shtet normal, Vangjush Dako duhej të ishte arrestuar “live”, në studio por jo! Pavarësisht këtyre fakteve, Prokuroria nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje Vangjush Dakon.

Kamikazet e Edi Ramës ne Prokurori nuk thonë:

-Kush po e mbron Vangjush Dakon nga Forca e Ligjit.

-Kush e bllokoi të enjten arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit? 

Vangjush Dako sot duhet të ishte në burg, njësoj si Arben Ndoka dhe Arben Çuko! Ata janë pjesë e të njëjtës dosje me numër 339! As kombinacionet brenda qeverisë, as vasaliteti i prokurorisë ndaj Edi Ramës nuk do ta shpëtojnë nga burgu“xhuxhin” e bandave në Bashkinë e Durrësit.”