Te Skënderbeu ndalohen prononcimet, Shehi: Dua ndeshjen perfekte…

Pas shumë kohësh mungesë, ndoshta që në kohën kur Mirel Josa drejtonte bardhekuqtë, te Skënderbeu nuk ka pasur heshtje shtypi.

Por këtë javë, në prag të ndeshjes me Partizanin, trajneri bardhekuq, Orges Shehi, dhe klubi i Skënderbeut kanë vendosur që ekipi të mos shpenzojë “energji” me deklarata boshe në media, por të jetë totalisht i përqendruar në sfidën e kësaj të hëne kundër vendit të parë në renditje.

Ka qenë vetë trajneri i Skënderbeut, që ua ka komunikuar vendimin lojtarëve, të cilët deri ditën e diel do të jenë gojëkyçur. Pikërisht të dielën do të jetë edhe deklarata e fundit e javës ajo ku do të dalë vetë trajneri bardhekuq, shkruan panorama. Një lajm të tillë, Shehi e ka dhënë për të tijtë vetëm pak para seancës stërvitore të zhvilluar gjatë pasdites, të cilën e ka vazhduar me një analizë të shkurtër.

ANALIZA – Dhjetë minuta ose ndoshta diçka më pak ka zgjatur “mbledhja” e Shehit me ekipin, para se të fillonte seanca stërvitore. Në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, lojtarët janë grumbulluar rreth trajnerit dhe kanë dëgjuar këshillat e tij. Këtë herë, Shehi ka qenë shumë strikt me lojtarët dhe porositë kanë qenë të qarta. Askush të mos shpërqendrohet në çështje të tjera, pasi tani për tani vlen vetëm përqendrimi për ndeshjen.

Nga ana tjetër, numri një i pankinës korçare është munduar të heqë çdo peshë presioni për ekipin e tij nga ky takim, duke e quajtur thjesht një ndeshje të radhës. “Duke filluar nga sot (dje), jemi në heshtje shtypi, në mënyrë që askush të mos shpërqendrohet në deklarata për mediat, por të jetë në maksimum i përqendruar për ndeshjen. Duhet që të jemi të përqendruar dhe të japim më të mirën tonë. Le të mos bëjmë llogaritë e sezonit nga ky takim. Për ne është thjesht një ndeshje radhe. Sido që të jenë gjërat në renditje, është vetëm një ndeshje radhe.

Prandaj, kërkoj nga ju që të zbatoni me rigorozitet të gjitha ato që unë kam kërkuar dhe do të kërkoj gjatë ndeshjes. Rezultatin do ta analizojmë vetëm pasi të ketë mbaruar takimi, por gjatë 90 minutave të lojës dua nga ju që të jepni më të mirën e mundshme. Nëse ju jepni maksimumin, atëherë edhe rezultati do të jetë pa dyshim pozitiv”, mësohet t’u ketë thënë pak a shumë Shehi lojtarëve të tij, sikundër bëjnë me dije burime për gazetën.

Të gjitha këto fjalë, Shehi i ka thënë para seancës së djeshme stërvitore dhe më pas është marrë me përgatitjen në fushë të ndeshjes kundër Partizanit.