FOTO/ Muharrem Salihu: Frenimi i hemoragjisë së ikjes nga trojet tona, është sfida jonë më e madhe

Intervistë me biznesmenin e shquar nga Medvegja, Muharrem Salihu, kandidat për postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi

Intervista nga Ruben Avxhiu

Përshëndetje zoti Salihu, ishte një kënaqësi t’ju kishim në Nju Jork e SHBA për disa ditë, ku udhëtuat bashkë me delegacionin e Presidentit Ilir Meta. Cilat ishin disa nga përshtypjet tuaja prej këtij udhëtimi?

Fillimisht lejomëni t’ju shpreh përgëzimet dhe mirënjohjen time të thellë për përkushtimin dhe punën e çmuar që ka kryer dhe vijon të kryejë në dobi të çështjes shqiptare, Gazeta Illyria në SHBA, vendin simbol të lirisë dhe demokracisë.

Udhëtimi në SHBA si pjesë e delegacionit që shoqëroi Presidentin Meta ishte një privilegj i veçantë dhe gjatë këtij udhëtimi u ndjeva vërtetë i nderuar. Ne në Medvegjë i jemi mirënjohës Presidentit Meta, pasi për herë të parë një President i Republikës së Shqipërisë ka ardhur në  Medvegjë. Në aspektin gjeografik, Medvegja nuk është në kufi as me Bujanocin dhe as me Preshevën, gjë e cila e bën pak më të veçuar si komunë. Respekti që Presidenti Meta u bëri medvegjasve ishte i veçantë dhe në e vlerësojmë këtë fakt. Ne ndihemi mirë dhe të respektuar që Presidenti Meta ka mbështetur kauzat dhe përpjekjet tona për zhvillim, ndaj besojmë se edhe në të ardhmen ndihma e Shkëlqesisë së Tij nuk do të mungojë për medvegjasit, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre autoktone.

Ky udhëzim pune më dha mundësinë të takoj krahas stafit të Presidentit, Ambasadoren e Shqipërisë në OKB, e shumë personalitete të tjera shqiptarë dhe të huaj me të cilët ndamë shqetësimin e përbashkët dhe trajtuam gjatë çështjet dhe problemet e shumta që kemi ne shqiptarët në Serbi.

Edhe pse udhëtimi im për në SHBA nuk është i pari, sërisht përshtypja kishte dy anë. Nga këndi i një mërgimtari vërejta se shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shumë më përzemër mëmëdheun se ne mërgimtarët në Evropë, ndoshta largësia më e madhe e bën edhe mallin për vendlindjen më të madh. Nga këndi i një biznesmeni vërejtja se zhvillimet janë si një tjetër botë nga ajo çfarë njohim ne në Evropë.

Siç e dini, shqiptarët e Amerikës mbeten të lidhur shumë me vendlindjen dhe një numër prej tyre kanë investuar në atdhe. Ju vetë jetoni në Venecia të Italisë, por po investoni në Medvegjë e në rajon. Si e vendosët të riktheheshit për të investuar aty? Çfarë ju shtyu?

Përtej dashurisë për Medvegjën, si vendlindjen time dhe prirjes për zhvillim biznesi, arsyet e këtij investimi i gjejmë edhe te pamundesia njerëzore për të qëndruar indiferent ndaj një realiteti të dhimbshëm dhe një gjendje ekonomike tejet të rënduar të shqiptarëve në Medvegjë dhe jo vetëm.

Një politikë e mirë ndërton, hap vende të reja pune dhe funksionon si tregues për forcimin dhe shëndoshjen e ekonomisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të gjenerojë të ardhura më të larta dhe do të rriti mireqenien e qytetarëve. Por, për këtë gjë në Serbinë Jugore nuk mund të krenohet askush, veçanërisht ne shqiptarët në Medvegjë. Kjo ndodh sepse në trojet autoktone shqiptare në Serbinë Jugore zbatohen politika “zhvillimore” të personalizuara, të cilat sjellin prapambetje sociale, politike dhe ekonomike për ne shqiptarët, si dhe shkelje të të drejtave tona, duke arritur majën me fshirjen e adresave të popullatës autoktone shqiptare dhe duke manipuluar gjendjen tonë demografike.

Disa njerëz të biznesit, jo vetëm shqiptarë, druhen nga ideja e investimit në Ballkan për shkak të konflikteve politike, korrupsionit, problemeve me zbatimin e ligjit. A keni pasur ju mëdyshje në këtë drejtim? Si është klima e sotme për të investuar në këtë rajon, sipas pikëvështrimit tuaj?

Të investosh në Ballkan, specifikisht në Medvegjë, si biznesmen e mendoj dy herë, si qytetar i Medvegjës jo, përkundrazi punoj fort ta realizoj. Ka kaluar vetëm një periudhë e shkurtër kohore nga luftrat e fundit të ndodhura në Ballkan dhe përtej përpjekjeve të qeverive të këtij rajoni, mbetet shumë punë për t’u bërë për të përmirësuar klimën e biznesit. Problemet që ju përmendët janë ende plagë për ekonomitë e shteteve të rajonit, ndaj Ballkanit i duhet ende kohë e punë e pandalur për t’u integruar në ekonominë evropiane e më tej atë globale.

Përveç të qenurit investitor dhe biznesmen, unë jam edhe qytetar shqiptar i Medvegjës me të drejta të plota që m’i njeh ligji. Të investosh në vendlindje, për ne mërgimtarët nuk është e lehtë, pasi politikat qendrore të qeverisë së Serbisë nuk i favorizojnë investimet në trojet shqiptare në Serbinë Jugore. Aktualisht unë jam në proces përmbylljeje të një investimi disa miliona Euro në Medvegjë dhe fabrika e re e prodhimit të çorapeve në fazën e parë do të hapi 400 vende të reja pune. Të punësuarit do të jenë jo vetëm shqiptarë, por edhe nga etnitë e tjera që jetojnë në Medvegjë, gjë e cila tregon më së miri karakteristikën shekullore të shqiptarëve, bashkëjetesën ndërfetare dhe mes etnive të ndryshme. Në këtë mënyrë, ne ofrojmë shembullin më të mirë të të punuarit dhe jetuarit së bashku dhe pa dallime.

Ndërkohë që ky investim është pritur shumë mirë dhe me mjaft interes nga banorët e Medvegjës,  gjë  e cila shihet edhe nga numri i lartë i aplikimeve për të fituar një vend pune në fabrikë, e kundërta ndodh me autoritetet vendore serbe, të cilat vazhdojnë të bëjnë indiferentin publik, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër, po këta drejtues lokalë janë të interesuar për të punësuar ndonjë nga të afërmit e tyre në fabrikë. Ne i kemi mirëpritur aplikimet e qytetarëve jo shqiptarë të Medvegjës, sepse nuk kemi paragjykime etnie, feje apo krahine. Përkundrazi, qëllimi i kompanisë Medinvest që unë drejtoj është jo vetëm ekonomik, por edhe social, sepse përmes ruajtjes së harmonisë ndëretnike, ne po punojmë për forcimin e bashkëjetesës mes entiteteve si një vlerë e shtuar për shoqeritë demokratike dhe nuk veprojmë në asnjë rast si diskriminues ndaj etnive të ndryshme nga ne.

 

Një problem që kemi parë të përflitet në media ka qenë mungesa e përkrahjes për nismën tuaj, që autostrada Durrës-Prishtinë-Nish të kalojë nga Medvegja. Sipas jush, kjo do ta shkurtonte rrugën, kohën e udhëtimit, shpenzimet për autostradën. Atëhere pse po pengohet një nismë e tillë?

Kompania që unë drejtoj “Mela Holding Group spa” me seli ne Venezia, ka sponsorizuar një projekt gjysëm të detajuar dhe ua kemi paraqitur atë organeve më të larta shtetërore në Shqipëri e Kosovë, si dhe e kemi prezantuar te Komisioneri Evropian për Zgjerim në Bruksel. Përmes formulës së koncesionit, kompania “Mela Holding Group spa” në bashkepunim me disa operatorë ekonomikë ndërkombëtarë ka ofruar mundësinë e financimit të segmentit të projektit të autostradës Durrës – Prishtinë – Nish me kalim në Medvegjë. Por ky propozim nuk ka mjaftuar për të marrë përkrahjen e duhur për ndërtimin e infrastrukturës në Medvegjë. Ështe vërtet e dhimshme kur projekte kaq vitale për ekzistencën e shqiptarëve në Medvegjë e më gjerë nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga dy shtetet tona shqiptare dhe kur qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nuk bashkëpunojnë për ta realizuar atë. Këto qëndrime nuk janë lajme të mira dhe as mbështetëse për ne shqiptaret në Serbi. Edhe pse dy qeveritë shqiptare e kanë detyrim kushtetues mbrojtjen të drejtave të shqiptarëve në troje, e shohim të kufizuar këtë ndihmesë kryesisht në aspektin ekonomik, ndërkohë nga ana tjetër janë evidente investimet prej miliona Euro në vit që realizon qeveria e Serbisë për të mbajtur gjallë praninë e serbëve në Kosovë.

Mendoj se vendimmarrësit në dy qeveritë shqiptare duhet të punojnë në kahun e dobishmërisë ekonomike për popullatën shqiptare që jeton në trojet e trashëguara nga paraardhësit e tanë. Konkretisht, autostrada Durrës – Prishtinë – Nish që ju përmendët, praktikisht dhe ekonomikisht do të duhej të kalonte nga Medvegja, por nga sa u shpjegua më sipër, ka shumë vështirësi e pak përpjekje nga dy qeveritë shqiptare që të realizohet ky segment. Edhe pse kalimi i kësaj autostrade nga Medvegja do të shkurtonte projektin me 40 km dhe në aspektin ekonomik do të kursente rreth 400 milion Euro nga taksapaguesit evropianë, sërisht në Beograd vijojnë ta shohin ndërtimin e autostradës me kalim nga Medvegja, si projekt politik dhe nuk i japin dritën jeshile këtij varinti sa ekonomik, po aq edhe të dobishëm për zhvillimin e rajonit.

Për ta bërë më konkrete dhe më të kuptueshme, mjafton të themi se projekti i autostradës Durrës – Prishtinë – Nish me kalim nga Medvegja i propozuar nga kompania “Mela Holding Group spa” do të shkurtonte gjatësinë e rrugës me 1/3, do të ulje shpenzimet me 1/3, dhe do të përshpejtonte vënien në funksion të autostradës me 1/3 e kohës, krahasuar me projektin aktual që ka miratuar qeveria e Serbisë.

Si mund të kapërcehet problemi? Kush mund të ndërhyjë? Kush do të dëshironit që të angazhohej? Qeveritë e Shqipërisë, Kosovës e Serbisë? Autoritetet lokale, bizneset e bankat që financojnë ndërtimet e autostradës, Bashkimi Europian?

Apeli është i hapur për të gjithë faktorët relevantë në rajon që ju përmendët. Duke ditur mirë se janë tre shtete (Shqipëria, Kosova dhe Serbia), të cilat duhet të bien dakord për ndërtimin e autostradës, duke qenë se secili prej këtyre shteteve në këndvështrimin kombëtar në formën e vetë është fitues, do të thoja nën një këndvështrim mbikombëtar dhe me një optikë rajonale dhe evropiane se, nëse rruga do të kalonte nëpër Medvegjë, do të fitonin shumë më tepër të tre shtetet së bashku sesa secili më vete. Medvegja është kryqëzimi i shumë rrugëve që lidhin lindjen me perëndimin dhe autostrada do të vitalizonte jo vetëm këtë rajon të bukur me pasuri të shumta nën dhe mbi tokë, por do të frenonte tkurrjen dhe shpërnguljen e popollatës shqiptare nga vatrat e tyre. Pikërisht këtu, ndoshta mund të gjejmë edhe arsyet e mos miratimit të këtij segmenti autostrade.

Ky problem mund të kapërcehet vetëm me vullnetin e përbashkët politik të tre qeverive, pasi në aspektin ekonomik, financimi i ndërtimit të autostradës është i zgjidhur përmes propozimit koncensionar që ka bërë kompania që unë drejtoj, në bashkëpunim me kompani të tjera evropiane.

 

Sa është e mundur të ndahen çështjet e biznesit nga ato politike e diplomatike? Cila është përvoja juaj në kontakte me burokracinë lokale dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit?

Me keqardhje konstatohet se gjithçka te ne është e politizuar dhe nuk mundemi t’i ikim kësaj teme. Për të korigjuar situatën e përshkruar më lart dhe për të përmirësuar gjendjen reale të shqiptarëve, unë do të rekomandoja që të fillohej me stabilizimin e gjendjes në shëndetësi, arsim, ekonomi, etj., gjë e cila do të sillte ndërprerjen e hemoragjisë së shpërnguljes së shqiptarëve nga Medvegja dhe Lugina e Preshevës. Për të ulur dhe shmangur zbrazjen e komunave shqiptare është jetike për të tashmen dhe të ardhmen e ne shqiptarëve që jetojmë në trojet tona në Serbi, që të dy shtetet shqiptare të përfshijnë në buxhetet e tyre përkatëse realizimin e investimeve dhe projekteve konkrete në tre komunat tona dhe në kuadër të reprocitetit të zhvillojnë politika ndihmuese dhe zhvillimore, njësoj siç zhvillon qeveria e Serbisë në komunat në Kosovë, ku popullsia serbe është në mazhorancë.

 

Ju po hapni një fabrikë me rëndësi ekonomike në Medvegjë. A do të jetë ajo një përjashtim në fatin ekonomik të Luginës së Preshevës apo besoni se mund të ndodhë një rilindje ekonomike e rajonit?

Fillimisht lind e nevojshmë të depolitizohet rajoni dhe të mbështetet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Mergata shqiptare është shumë mirë e organizuar, ajo ka burime financiare dhe humane të gatshme për t’i investuar në vendlindjet tona, por politikat diskriminuese dhe pengesat e qëllimta i kanë dekurajuar që të investojnë. Unë besoj se fabrika e re e çorapeve do të shërbejë si një start i mirë dhe inkurajues për të gjithë investitorët e tjerë edhe në Preshevë dhe Bujanoc, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejtë në rimëkëmbjen e ekonomisë së rajonit.

 

E di që ju promovoni drejtësi e barazi mes njerëzve, në punësim, pavarësisht prej etnisë, fesë, racës e ndarjeve të tjera, po shqiptarët autktonë janë duke u larguar në masë nga këto troje. Çfarë mund ta ndalë këtë arrati, politika apo ekonomia, të drejtat e njeriut apo mundësitë për shkollim e punësim?

Investimet ekonomike në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshëvë janë zgjidhja më e mirë për zhvillimin e tre komunave shqiptare dhe njëkohësisht për forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndëretnike. Punësimi në fabrikë i punonjësve nga etni të ndryshme shërben pikërisht për të repektuar të drejtat e tyre, për t’u dhënë mundësi të barabartë punësimi dhe për të ndalur diskriminimin etnik apo fetar. Shkelja e të drejtave të njeriut, varfëria ekonomike e rajonit, mungesa e prespektivës dhe diskriminimi janë faktorët kryesore që shkaktojnë shpërnguljen e popullatës shqiptare. Ndaj pikërisht frenimi i kësaj hemoragjie ikjeje, është sfida jonë më e madhe. Por unë besoj, se të gjithë së bashku mund t’ia dalim.

 

A mendoni se fillimisht vjen biznesi dhe pastaj ripajtimi e zhvillimi, apo e kundërta? A mendoni se një ekonomi më e mirë për të gjithë në rajon do të sjellë qetësimin e plagëve të vjetra apo pa u zgjidhur problemet politike mes vendeve nuk mund të ketë vërtet zhvillim ekonomik në rajon?

Nuk mund të ketë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm pa një stabilitet të qëndrueshëm politik! Edhe vetë Bashkimi Evropian mbështetet mbi ekonominë e tregut dhe demokracinë. Ekonomia dhe politika janë dy paralele, të cilat duhet të ecin njëkohësisht dhe jo njëra pas tjetrës.

 

Ju jetoni në Venecia. Dikur veriu i Italisë ishte fushëbeteje mes austriakëve dhe francezëve. Në Luftën e Dytë Botërore, Gjermania e Italia ishin në luftë me pjesën tjetër të Europës. Qindra miliona vetë u vranë. Sot, siç e dini më mirë se unë, duket gati e pamundur që Evropa Perëndimore ishte dikur e shkëmoqur nga urrejtja dhe vrasjet masive. A mund të ecë edhe Ballkani, në atë rrugë? A mund të bëhen shqiptarë e serbë si gjermanët e francezët?

Personalisht besoj se është e mundur, por mendoj gjithashtu se kjo varet kryesisht nga pala serbe, e cila nuk do të duhet më të kërkojë nga pala shqiptare koncesione të tjera në emër të paqes.
Ka patur një marrëveshje  më 1878, e cila në emër të “paqes” cënoi rëndë trojet shqiptare, më tej për të kënaqur kërkesat e fqinjëve, më 1913 Fuqitë e Mëdha tkurrën sërisht trojet shqiptare. Vijmë sot, pas më shumë se një shekulli dhe në korridoret e politikës dhe jo vetëm, shohim të njëjtat sllogane dhe konstatojmë të njëjtin objektiv, ku dëgjojmë sërisht propozime të ngjashme për një marrëveshje “historike”.

Zoti Salihu, shumë prej nesh, epoka dhe fati na e ndau jetën e na shpërndau nëpër botë. Kur shikoni rrugën e jetës suaj, nga fëminia deri më sot, çfarë mendoni për të? A është kjo jeta që kishit imagjinuar?

Jo, absolutisht! Ëndrra ime sikurse edhe moshatarëve të mi është ndërprerë në mes menjëherë pas studimeve, dikush në ato të mesme  e dikush në ato të larta dhe koha e njerëzit na nxorrën nga trevat tona duke na shpërndarë nëpër botë.

Për më pak se një muaj do të zhvillohen zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Çfarë rëndësie mendoni se kanë këto zgjedhje për shqiptarët e Medvegjës dhe për ju personalisht?

Po, siç e cituat edhe ju, më dt. 4 nëntor 2018, do të zhvillohen zgjedhjet për 15 anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, prej të cilëve do të zgjidhet edhe Kryetari.

Deri më sot, në drejtimin e këtij Këshilli kanë qenë përfaqësues politik nga Preshave dhe Bujanoci, e për herë të parë kemi një kandidaturë jopolitike nga Medvegja. Zgjedhja e kryetarit nga Medvegja merr rëndësi historike për zhvillimin e tre komunave, pasi Medvegja pas kësaj do të ketë mundësinë reale për t’u trajtuar e barabartë mes tre komunave shqiptare në Serbi; do të ketë zërin e saj në Këshill; nuk do të ndihet më si shtojcë e dy komunave të tjera shqiptare që kanë edhe numrin më të madh të popullsisë shqiptare; dhe mbi të gjitha, do të punohet t’u rikthehet shpresa banorëve të saj, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe ata nuk do të ndihen më të braktisur.

Për mua personalisht, si kandidat për postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi është një sfidë dhe një detyrim për t’u shërbyer sa më mirë bashkëqytetarëve të mi. Unë besoj se me punë dhe të bashkuar, më e mira do të bëhet për ne shqiptarët që jetojmë në Serbi.