Kush është në pushtet: Rama, Dako, Veliaj, Sejdini apo ‘I gjati’, ‘Xhuxhi’, ‘Lali’, ‘Lala’?!

Vangjush Gjush “Xhuxh” Dako, prej kohësh nuk është thjesht i pari i bashkisë  nr. 2 të Shqipërisë. Nga pikëpamja politike, elektorale dhe ajo e punëve nën rrogoz, ai cilësohet prej të gjithëve si krahu i djathtë i Edi Ramës.

Gjush Xhush “Xhuxh” Dako ka kapur e tejkaluar edhe rekordin e kapos së Rilindjes në karriken e kryebashkiakut. Që kur fitoi për herë të parë në vitin 2007 bashkinë e Durrësit me vetëm 300 e pak vota përballë Armand Telitit, Vangjush Dako me shpejtësi u kthye në “Gjushi”, më pas në “Xhuxhi” dhe që atëherë nuk ndalet më si makineri votash. Zgjedhje pas zgjedhjesh, ato shtohen me shifra të frikshme, jo vetëm në favor të karriges së tij (të cilën thonë që, si mbret i betonit, e ka të dizenjuar po  prej betoni), por edhe të Partisë Socialiste.

Pasi përfundoi transformimin nga Vangjush në Gjush e më tej në “Xhuxhi”, si një supermen i vërtetë, të cilit, “nuk ka bir kurve që ia kalon me telefonin” (përveç Ramës me mesazhet), ai nuk pati fare frikë dhe as cipë të tregonte mbrëmë me “sinqeritet” donkishotesk, se cila është skema dhe makineria që vë në punë Rilindja, për të marrë e mbajtur pushtetin.

Kur në “Opinion” pyetej si Vangjush Dako, ai përbetohej se i ka duart të pastra “si akullore” dhe se, 24 në 24 orë mendon dhe punon vetëm për qytetarët e Durrësit të cilët i njeh dhe e njohin të gjithë, kokërr më kokërr. Kur dilte në përgjim si “Xhuxhi” (sa ëmbël i fliste Niçes, kurse në studio hakërrehej!) shndërrohej papritur dhe thoshte se “unë, kur kërkoj votat, nuk shikoj as diplomat dhe as dëshminë e penalitetit”.

Pra për “sytë e botës”, shqiptarët e socialistët e thjeshtë, kemi një Vangjush Dako politikan e kryetar bashkie të suksesshëm. Për Ramën dhe grupin e ngushtë të “leku-letër” ai është Gjushi, kurse për Niçen, Lul Berishën dhe gjithë soj e sorollopin e tyre të botës së errët është “Xhuxhi”.

Kjo është skema. A nuk funksionon njësoj, edhe me kokën e gjithë kësaj?

Për popullin, socialistët e thjeshtë kemi kryetarin dhe kryeministrin, Edi Rama; për grupin e ngushtë që “lekun e euron e bën letër dhe anasjelltas”, “kapitenin”; kurse në mesazhet e koduara apo jo, në bisedat e krimit nga ai vulgar deri te ai “biznesmen”, shndërrohet në “I gjati”.

A ju kujtohet, Saimir Tahiri?

Hyri vrullshëm me emrin që i vunë prindërit në politikë e qeveri, më pas për shqiptarët e socialistët e thjeshtë e shndërruan në “kampioni i Rilindjes”. Për klubin e eurove ishte “Saje”, kurse për Habilajt e gjithë organizatat e kultivimit dhe trafikut të drogës, “Qorri”.

Njësoj edhe Erion Veliaj i “Mjaft”; për propagandë është “Lali Eri”, për Fushën e gjithë “biznesmenët” që i punojnë qindin monedhës së fortë europiane me ndërtime e punë publike është “Lali”.

Ngado që t’i kapësh, kështu funksionojnë edhe në Elbasan me Qazim Sejdinin që për bandat më të frikshme të drogës është “Lala”, në Dibër, Fier, Vlorë etj etj.

Kjo është skema e blinduar, laku vicioz që ka kapur për fyti Shqipërinë; krim-vota-pushtet-korrupsion-para-pushtet-krim...dhe kështu pambarim.

Dhe Lulzim Basha kërkon zgjedhje “në një dorë”, vitin që vjen. Përse, që “I gjati”, “Xhuxhi”, “Lali” e “Lala” dhe organizata e tyre të rikonfirmohet sërish “me një dorë” edhe në pushtetin lokal dhe atë qendror?!

Laku, skema, rrethi vicioz duhet shkatërrua e flakur, ku i takon. Përndryshe Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë do të jenë vetëm Zgjedhë, e të gjatëve dhe të shkurtërve, lalëve e lalave dhe shokëve e ortakëve të tyre.

Ata të cilët na i prezantojnë si “biznesmenë” që marrin leje ndërtimi, punë publike e tenderime pafund, por i njohim kush janë në të vërtetë, vetëm kur bien në rrjetat e shërbimeve anti-krim të ndërkombëtarëve!