Universiteti i Vlorës zhvat studentët, 80 mijë lekë për planin mësimor

Viti i ri akademik 2018 – 2019 ka nisur me tarifa të larta për studentët e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, dhe jo vetëm për pagesën vjetore. Përkatësisht, bëhet fjalë për planin mësimor, për të cilin studentët që kanë përfunduar nivelin bachelor, por edhe master duhet të paguajnë plot 80 mijë lekë të vjetra për ta marrë.

Për studentët, tarifa prej 80 mijë lekësh vetëm për planin mësimor është e papërballueshme, pasi ata duhet të paguajnë përveç kësaj edhe tarifën vjetore për vitin akademik si dhe të blejnë librat për secilën lëndë.

Studentët më tej kërkojnë që të ketë një tarifë fikse për çdo universitet.

Pavarësisht kërkesave të shumta që studentët kanë drejtuar në këtë institucion ende nuk kanë marrë një përgjigje mbi arsyen e dyfishimit të tarifës.

Studentët e universitetit të Vlorës, ngrenë edhe një tjetër shqetësim mbi pagesën e listës së notave që kushton 11 mijë lekë të vjetra.