Panucci i paduruar për gjyqin 100 mijë eurosh, ‘i gjen’ shtëpinë ish-presidentit Nishani

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Christian Panucci duket se është i vendosur të zhvillojë sa më parë procesin gjyqësor që ka hapur ndaj ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të cilin e ka paditur për cënim të imazhit dhe personalitetit, duke i kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim.

Madje, kaq e madhe duket kjo dëshirë, sa që avokatët e Panuccit nuk kanë pritur zyrën e Gjendjes Civile që të gjejë adresën e Nishanit, por e kanë gjetur vet përpara dhe ia kanë vënë në dispozicion gjykatës.

Këtë e konfirmon komunikimi që avokatët kanë me gjykatën, ku gjyqtarja e çështjes, Anila Karanxha ka vendosur që t’i rinisë njoftimin për deklaratën e mbrojtjes palës së paditur në bazë të adresës së depozituar nga pala paditëse.

Pra, ndonëse gjykata ia kishte kërkuar zyrës së Gjendjes Civile që të gjente adresën e ish-presidentit të Republikës, avokatët e Panuccit e kanë gjetur më parë këtë adresë duke ia vënë në dispozicion gjykatës brenda 3 ditëve.

Kujtojmë që pas ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku kuqezinjtë u mund 3-0, ish-Presidenti e quajti “sharlatan” teknikun e Kombëtares shqiptare.