Tensioni Turqi – Greqi per detin, vijojnë deklaratat nga Athina dhe Ankaraja

Ka vazhduar edhe sot tensioni verbal midis Athinës dhe Ankarasë, për shkak të situatës në detin Egje, por edhe zonat ekskluzive ekonomike në Mesdhe.

Ministria e Jashtme greke ka nxjerrë një tjetër deklaratë të ashpër të enjten në mesditë, në përgjigje të deklaratave që kishte bërë disa orë më parë ministri i mbrojtjes i Turqisë.

“Delimitimi i zonës ekskluzive ekonomike greke në tërësi, do të bëhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisht jo duke marrë në konsideratë teoritë e pabazuara dhe arbitrare të Turqisë që është një shkelëse e të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke, shkruan ora news.

Më herët, ministri i mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, kishte deklaruar rreth njoftimit se Athina do të shtrijë në 12 milje ujërat territoriale: “Turqia do të marrë masat e domosdoshme nëse merren vendime në kundërshtim me interesat turke në detin Egje”.

“Jemi në favor të zgjidhjes së problemeve nëpërmjet paqes dhe negociatave, pa i shndërruar ato në konflikte të ngushta në çfarëdo mënyre”, i deklaroi Akar agjencisë se lajmeve Anadolu Ajans.

Pikërisht kjo fjali është interpretuar nga Athina si një kërcënim, si një revokim i vendimit të parlamentit turk në 1995, se zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë në detin Egje, do të jetë një casus belli – kauzë për luftë.

“Greqia nuk ka për të rrëshqitur në një manifestim retorike agresive”, theksohet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke.