Kokëdhima: Teatri nuk duhet shembur, ‘Rilindja’ ka mision krimin dhe hajdutërinë

Kryetari i Partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima ka reaguar ndaj rrëzimit të dekretit të Presidentit për Teatrin Kombëtar nga ana e komisionit të Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit.

Kokëdhima deklaron se Rilindja tregoi se mission të saj ka vetëm hajdutërinë, krimin dhe korrupsionin. Ai bëri thirrje që të mos lejohet prishja e godinës së Teatrit Kombëtar.

Ja reagimi i plotë i kreut të “Zgjidhjes” Kokëdhima

Mazhoranca rrëzoi herët në mëngjes, hajdutçe, vetëm me votat e saj në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, dekretin e presidentit që kërkonte rishqyrtimin nga Kuvendi të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave në atë truall.

Mjerim! Rilindja nuk ka për mission ruajtjen e vlerave kombëtare, kulturore dhe historike të vendit, por zhbërjen e tyre. Misioni i saj është hajdutëria, krimi dhe korrupsioni. Teatri Kombër nuk duhet lënë që të prishet. Elita politike e degjeneruar e Shqipërisë kërkon t’i shkatërrojë të gjitha institucionet morale dhe shpirtërore të popullit. Ajo ndërtesë 80-vjeçare nuk është vetëm shtëpia e aktorëve tanë të shquar, por një monument i historisë së popullit, trashëgimi e vetëdijes sonë dhe nuk mundet të prishet dhe nuk ka asnjë arsye që të prishet.

Ai është një akt i pastër hajdutërie dhe korrupsioni, me ligj. ZGJIDHJA do ta mbështesë deri në fund betejën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, prishja e të cilit nisi që 22 vite më parë, kur u masakruan zgjedhjet në Shqipëri, kur qeveritë e partive të vjetra nisën shkatërrimin e lirive tona njerëzore, politike dhe ekonomike . Krime të tilla të paimagjinueshme për botën demokratike, e bëjnë edhe më emergjente nevojën e rivendosjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri, shembjes së partitokracisë dhe respektimit të të drejtave të sovranit.