A do të pranojë PD të hyjë në zgjedhje me kryeministër Ramën? Ja përgjigja e Bashës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka theksuar sot se vendi është në krizë të thellë politike, ekonomike dhe psikologjike, ndaj thelbi i problemit, "nëna e të gjitha problemeve” është si t’u kthehen zgjedhjet qytetarëve, në mënyrë që kryebashkiakët, deputetë, qeveritarët të jenë produkt i votës së tyre dhe jo produkt i kriminelëve.

Basha u pyet nga mediat nëse PD-ja do të pranonte të hynte në zgjedhje me kryeministër Edi Ramën nëse nuk do të pranoheshin dy nismat e saj të fundit për dekriminalizimin e politikës dhe  ja si u përgjigj kreu i opozitës: 

Pjesë nga konferenca:

Z. Basha, është krijuar perceptimi sikur PD kërkon të riciklikojë një krizë politike. Sa qëndron kjo, ky perceptim publik se po kërkohet të krijohet një krizë politike para zgjedhjeve vendore?

Basha: Vendi është në krizë të thellë politike, ekonomike dhe psikologjike. Nuk ka nevojë të dalësh nga Tirana, po mirë është të dalësh, për të konstatuar që ky realitet shtrihet nga zonat  më të pasura të Shqipërisë në qëndër të Bllokut deri tek fshatrat më të thellë të Shqipërisë. Dje kam qënë në Vaun e Dejës ku kam prekur nga afër depresionin ekonomik dhe social të fermerëvë të asaj zone lënë në mëshirë të fatit dhe bandave. Sepse, nuk ka as qeveri, as Kuvend, as Gjykatë Kushtetuese, as Prokurori, as Polici, as funksionim normal të gjykatave por një tufë politikanësh banditë që kanë marrë peng vendin për llogari të tyre dhe të kriminelëve dhe përmes shtetit, kanë marrë peng vendin. Pra, ky nuk është perceptim, ky është realitet!

Ajo që unë po ju them sot është se ka ardhur koha që zgjidhjen e problemeve ta nisim nga problemi themelor: krimi i të gjithë krimeve është krimi elektoral. Pa zgjidhjen e këtij krimi asgjë nuk do të marrë rrugë: nuk do të ketë as drejtësi, as luftë kundër krimit, as siguri për qytetarët, nuk do të ketë as parlament, as prokurori, as polici, vetëm shfaqje, fasadë; njerëz që arrestohen me bujë, por lirohen pa bujë, por jo vënie para përgjegjësië të atyre njerëzve që kanë shkatërruar themelet e bashkëjetesë demokratike të njerëzve. Ndaj prioriteti absolut jo vetëm i PD e aleatëve tanë, po i çdo shqiptari do të jetë rikthimi i vullnetit të qytetarëve. Për këtë ne kemi dy nisma që i konsiderojmë jetike: ndarjen e politikës nga krimi dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve, për të cilat kemi bërë edhe propozimet përkatëse.

Z. Basha, a do të pranojë PD-ja të hyjë në zgjedhje me Kryeministër Edi Ramën në rast se nuk miratohen dy nismat tuaja?

Basha: Kjo është një pyetje me interes sensacional, por duke qënë që zgjedhjet do të jenë në qershor, nuk ka absolutisht asnjë funksion në konferencën e sotme përveçse për të na hequr  vëmendjen nga çështja kryesore që unë kam parashtruar dhe çështja kryesore që unë kam parashtruar është:

Si do të kthejmë zgjedhjet, në mënyrë që të kthejmë pushtetin tek qytetarët? Në mënyrë që - mirë apo keq - kryebashkiakët, deputetët, qeveritarët të jenë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe jo i kriminelëve! Ky është problemi kryesor! Kjo është nëna e të gjitha problemeve! Pa zgjidhur këtë problem, asnjë çështje tjetër nuk do të marrë rrugë!