Edhe Gareth Bale përfshihet në skandalin e shmangieve të taksave në Spanjë

Sulmuesi i Real Madridit, Gareth Bale, ka marrë një gjobë prej 337 mijë eurosh nga autoritetet tatimore të Spanjës për shmangie të taksave nga të ardhurat e të drejtave të imazhit.

“El Mundo” ka raportuar se gjoba ka të bëjë me një incident të vitit 2013, vit në të cilin u transferua te Real Madridi nga skuadra e Tottenhamit.

Bale atë vit nuk i ka deklaruar të hyrat nga të drejtat e imazhit dhe për këtë arsye tani duhet ta paguajë gjobën, në të cilën është përfshirë edhe interesi i përgjithshëm.

Kohët e fundit, një numër i madh i futbollistëve kanë marrë gjoba nga autoritetet tatimore të Spanjës për shkak se nuk kanë deklaruar në mënyrë korrekte të ardhurat nga reklamat.

Më herët janë gjobitur edhe Cristiano Ronaldo e Lionel Messi.