Dështon seanca, Lul Berisha nuk paraqitet në gjyqin e atentatorit të tij

Ka dështuar për të  tretën herë gjyqi ndaj Ahmet Ajetit, kosovarit cili në vitin 2005 ka organizuar një atentat ndaj Lulzim Berishës në Durrës.

Mungesa e paraqitjes në sallën e gjyqit  e këtij të fundit në procesin ndaj atentatorit të tij ishte shkaku.

Ajeti është i dënuar me 20 vite burg në mungesë pasi ka tentuar të vrasë Lulzim Berishën dhe aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda është hapur procesi i rigjykimit të tij.

Në sallën e gjyqit me anë të një letre familjarët lajmëruan gjykatën se Berisha nuk gjendet në banesën e tij në Durrës por ndodhet jashtë vendit. Policia e Durrësit ka kontaktuar dhe me motrën e Lulzim Berishës e cila ka konfirmuar të njëjtin fakt.

Por pretendimi u hodh poshtë nga avokati i Ahmet Ajetit, Sajmir Visha i cili pohoi se ditën e djeshme ai është paraqitur në shërbimin e provës në Durrës dhe nuk i lejohet dalja jashtë vendit.

Përveç ripërsëritjes së thirrjes për Berishën gjykata do të dërgojë dhe një shkresë Shërbimit të Provës në Durrës për të saktësuar nëse Berisha paraqitet në këtë institucion sipas vendimit të gjykatës. Seanca tjeter u caktua për daten 5 nentor.