FOTO/ ‘Kopshtari’ shqiptar i kanabisit, pendohet në gjykatën britanike. Emri

Një shqiptar i akuzuar si i përfshirë në një fabrikë kanabisi, e cila prodhonte drogë me vlerë deri në 750 mijë paund, u paraqit në një gjykatë britanike dhe pranoi se është fajtor.

Adeljan Oshafi, 31 vjeç,  shkoi në gjykatë së bashku me 23-vjeçarin Neim Bakia.

Sipas gloucestershirelive.co.uk, Oshafi shfaqi pendesë në seancën gjyqësore.

Policia britanike zbuloi shtëpinë të premten, ndërsa u gjetën dy kate me qindra rrënjë kanabisi, drita të cilat përcillnin elektricitetin te bimët si dhe disa pajisje të tjera të dyshimta. Mediat britanike shkruajnë  se pajisjet në katet e banesës ku u gjet droga ishin aq të shumta, saqë një ditë të tërë policia ka punuar me ritëm për t’i larguar.

Prokurori i kësaj  çështje, Jeremy Oliver  deklaroi se në fabrikë  ishin rreth 963 bimë kanabisi, vlera e të cilave mendohej të shkonte nga 250.000 deri në 750.000 Paund.

“Ata vidhnin elektricitetin. Është një nga operacionet më të sofistikuara që kemi parë ndonjëherë”, tha Oliver.

Prokurori i çështjes  tha se shqiptari nuk duhet liruar me kusht, pasi ai mund të përfshihet në vepra të tjera të rrezikshme, të cilat mund të shkaktojnë probleme për shoqërinë britanike.  Nga ana tjetër, avokatja e shqiptarit shtoi se klienti i saj nuk kishte rol  si kreu apo ideatori, por ishte thjesht si “kopshtar” në banesën ku u gjetën bimët e kanabisit.

“Ai nuk mori pjesë në ngritjen e fabrikës, duke vjedhur energjinë elektrike apo duke organizuar fermën”,  mësohet të jetë shprehur avokatja e shqiptarit.

Mediat britanike shpeshherë kanë raportuar raste të kultivimit të lëndëve narkotike duke raportuar se shqiptarët luajnë role kyçe  në këtë pjesë. Vendimi për dy shqiptarët pritet të jepet në muajin nëntor dhe data sipas mediave vendase është përcaktuar 23 nëntori.