Publikohet dokumenti, si Greqia bleu me 15 milionë euro gazetarë e politikanë shqiptare

Publikohet dokumenti i zbuluar nga gazetari grek Dimitris Takis. Lista e fondit sekret me zërat që janë paguar, të paraqitura me kode, është miratuar nga Parlamenti grek. Opinioni grek në mbrojtje të gazetarit, që po hetohet për nxjerrje sekreti

Gazeta “Shekulli” publikon dokumentin sekret të Ministrisë jashtme greke që tregon të detajuara pagesat e bëra për median, OJQ-të dhe politikanët shqiptarë. Fondi Sekret, i Ministrisë së Jashtme Greke, e cila drejtohej nga Nikos Kotzias u zbulua nga gazetari i portalit në Athinë, iefimerida.gr, Dhimitris Taqis gjatë diskutimit në Kuvendin e Greqisë në 10 tetor 2018, gjatë përplasjes të ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos dhe Nikos Kotzias, të cilin Kammenos e akuzoi për shpërdorim të fondit sekret rreth 45 milionë euro për tre vitet e fundit (ka zëra se fondi sekret i Kotzias ka qenë 100 milion euro për tre vite). Ajo që është proklamuar në mediat fqinje, në lidhje me dhënien e fondeve për disa nga mediat shqiptare me qëllim influence dhe ndikimi në opinion publik shqiptar, është kaluar në heshtje nga ana e institucioneve ligjzbatuese shqiptare, ndërsa në Greqi opinioni grek po zien në mbrojtje të gazetarit i cili është marrë nën hetim për nxjerrje të sekretit shtetëror.

Ministria e Jashtme Greke, me anë të fondit të saj sekret, ka dhënë një shumë të konsiderueshme parash, në drejtim të disa mediave, në përgjithësi lokale, për të influencuar dhe për të mbajtur një linjë editoriale, e cila korrespondon me atë greke.

Sipas informacioneve, të dala nga dokumentat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, shuma totale e parave të shpenzuara ishte 1 milion euro vetëm vitin e fundit. Nga Fondi Sekret i Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe të disa ministrive të tjera të Greqisë prej vitit 1990 mbështeten financiarisht shoqata, parti, gazetarë, politikanë, kanale radiosh, televizione dhe grupacione fetare në Shqipëri. Shumat e para të parave janë shpërndarë për influencimin e mediave shqiptare.

Shumat e tjera janë shpërndarë për mediat e Maqedonisë, në po të njëjtën mënyrë janë shpërndarë edhe paratë për mbëeshtejen e Kishave Ortodokse dhe Orthodoksisë në përgjithësi. Më përjashtim të Kishës Orthodoxe, paratë e shpenzuara për mediat, bëhet me qëllimin e vetëm për të influencuar tek shkrimet e tyre editoriale, në mënyrë që të jepej një imazh pozitiv për Greqinë. Influenca do të shtrihej edhe tek pronarët e mediave, në mënyrë që të krijohej një lob pro grek dhe të përfitonin interesat greke. Të gjitha informacionet janë kërkuar nga ana e mediave greke, por qeveria me anë të zëdhënsit të saj pasi ka sqaruar ekzistencën e këtyre pagesave, është shprehur se nuk do të jepet më tek asnjë e dhënë konkrete për arsye të interesit kombëtar.

Kategoritë e shpenzimit të parave

Dhënia e ndihmave në formën e parave, për minoritarët dhe kishën greke, është diçka e cila nuk ka nevojë për të dhëna. Ajo është e parashikuar edhe në legjislacionin e ndihmave për Kishën Orthodokse shqiptare. Por ajo që ka krijuar më shumë interes kanë qenë shumat e parave të cilat janë dhënë për disa nga mediat apo portalet online shqiptare.

Dokumenti në fjalë është bërë publik nga gazeta e njohur investigative greke, “iefimerida.gr”. Ky dokument është pjesë e Fondit Sekret të Kotzias me kodin 0896, ku rezulton se, 15 milion euro janë përdorur në Shqipëri për pagesat e mediave, politikanëve, partive, shoqatave, etj., për propagandën filogreke dhe antishqiptare.

Çështja ka kaluar në Prokurorin e Athinës, për faktin se si i ra në dorë gazetarit grek Dhimitris Takis, ky dokument është një sekret shtetëror. Ndërkohë që të tjera shpenzime, nga Fondi Sekret i Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë të bëjnë me: Para të cilat janë të pazbuluara, domethënë të fshehta, që ka shpenzuar autoriteti i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në bazë të dokumentit, kodi 9871 thekson se paratë, të cilat janë dhënë dhe janë shpenzuar nga persona fizikë gjatë viteve të kaluara. Kodi 9873 përcakton tarifat e tjera nga vitet e kaluara. Kodi 0813 përmban shpenzime për qirat e ndërtesave. Kodi 0823 përmban shpenzimet për postën. Kodi 0824, përmban detyrimet nga marrëdhënie ose lidhje me telefonatat. Kodi 0826 përcakton shpenzimet për përdorimin e celularit. Të shprehura në tabelë, shpenzimet paraqiten si më poshtë:

Demokracia e Re: Njoftimi “rastësor” i Kotzias për “paktin detar”

Opozita kryesore greke, “Demokracia e Re”, ditën e djeshme reagoi ndaj deklaratave ndaj ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, mbi idenë e shtrirjes së ujërave territoriale në rreth 12 milje. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës si ministër

Në një deklaratë për mediat partia opozitare greke, “Demokracia e Re”, u shpreh se, kjo deklaratë e Nikos Kotizas, tregon një mungesë serioziteti, transmeton media greke, “Kathimerini”. Reagimi i opozitës greke i mëshon faktit se qeveria e tanishme greke nuk ka seriozitetin e duhur për të trajtuar një çështje kaq delikate si ajo e delimitimit të ujërave greke, të cilat do të përcaktojnë edhe kufirin me Shqipërinë. Nikos Kotzias e bëri deklaratën e rij ndërsa priti kryeministrin Alexis Tsipras, si pasuesin e tij në Ministrinë e punëve të Jashtme. Në deklaratën e partisë opozitare theksohet qartë se: “Një njoftim shumë i rëndësishëm për politikën e jashtme të vendit, siç është zgjerimi selektiv i ujërave të tij territoriale, bëhet rastësisht dhe në mënyrë fragmentare, me rastin e ceremonisë së dorëzimit në Ministrinë e Jashtme”, tha ministri i jashtëm në hije Giorgos Koumoutsakos në një deklaratë për shtyp. “Edhe një herë, mungesa e seriozitetit dhe ndjenjës së përgjegjësisë të qeverisë është konfirmuar”, shtoi ai. Lidhur me përmbajtjen e njoftimit, Koumoutsakos tha se “Demokracia e Re”, do të komentojë pasi ai zyrtarisht është njoftuar për këtë çështje. Duke komentuar qëndrimin e Nikos Kotzias në Ministrinë e Jashtme, ai tha se, do të mbahet mend për marrëveshjen “e dëmshme” të Prespës, të nënshkruar me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe për “dhënien e” përkatësisë etnike dhe gjuhës maqedonase “atij vendi”.

Hijet e dorëheqjes se Kotizias

Mediat greke theksojnë se Nikos Kotzias, kishte bërë plan që të jepte dorëheqjen e tij, ditën e enjte, pra në kohën që plasi edhe skandali për shpërdorimin e fondeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por kjo iniciativë e Nikos Kotzias është bllokuar nga një dalje publike e zëdhënësit të Qeverisë Greke, Dimitris Tzanakopoulos, ku ndër të tjera citonte se: “qeveria është në gjendje të vazhdojë në këtë drejtim që ka nisur. Nëse ndokush nuk ndjehet rehat mund të zbresë nga treni i tanishëm”. Më tej në deklaratë thuhej se:” Sipas draft ligjit të funksionimit të institucioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, fondi në drejtim të një shteti si Maqedonia është afro 2 milionë dollarë. Ndërsa në lidhje me fondet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, burimet diplomatike theksojnë se, “Ministria e Jashtme është e vetmja ministri e cila ka kaluar para nga fondi sekret i kësaj ministrie”, përfundon deklarata e zëdhënësit të qeverisë greke.

Letra e dorëheqjes

Në letrën e tij të dorëheqjes, Nikos Kotzias ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes Greke, Panos Kammeos, në afro 9 faqe, të cilën ia ka dërguar Kryeministrit Alexis Tsipras. Pjesë të kësaj letre janë publikuar në median e njohur greke, Eleftherotypia. Në letrën e tij, sipas citimeve të mediave greke, Nikos Kotzias shpjegon arsyen e cila e detyroi atë të jepte dorëheqjen. Në bazë të shpjegimeve të tijë, arsyet e vërteta të largimit janë politike dhe jo personale. Gjithashtu mediat greke, vënë në dukje, se zyrtarët qeveritarë grek, kanë folur për arsyet e largimit të Nikos Kotzias. Ata i mëshojnë faktit se Kotzias është ka dhënë dorëheqjen për arsye personale dhe jo politike. Në letrën e tij të dorëheqjes Nikos Kotzias bën një hyrje të shkurtër, për sa i përket qëndrimit të tij në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm, siç është Ministria e Punëve të Jashtme. Kotzias ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjeve për implementimin e agjendës së Mesdheut Lindor dhe rritjen e rolit të Ballkanit Perëndimor./Shekulli