Kombëtarja frymëzon Uzunin, shkëlqen në Kroaci

Është momenti i Myrto Uzunit. Pas grumbullimit të parë me Kombëtaren dhe impresioneve të mira me fanellën kuqezi, 23-vjeçari i rikthehet protagonizmit edhe në Koraci, ku bëri një ndeshje të shkëlqyer me skuadrën e tij Lokomotivën e Zagrebit,

Ai spikati me një asist dhe një gol në fitoren 2-0 ndaj Hajdukut të Splitit.

Në minutën e 23-të të takimit, ish-futbollisti i Laçit, pas një kombinimi të bukur shërbeu me një vertikalizim për të nxjerrë para portës shokun e tij të skuadrës, Drozdek, që shënoi golin e avantazhit për Lokomotivën, me numrin 11 që duhet të falënderojë pa dyshim shqiptarin për atë korridor të bukur, që pret përmes mbrojtjen e Hajdukut.

Më pas, në pjesën e dytë, Uzuni vendosi dhe vetë emrin në tabelën e rezultatit, këtë herë duke përshkuar gjysmën e fushës në krahun e majtë, në një galopim të shoqëruar nga driblimi i mbrojtësit kundërshtar dhe finalizimi që ndëshkoi portierin e Hajdukut.

Goli i dytë sezonal për Uzunin, që duket se është përshtatur menjëherë në Koraci, pavarësisht se shkoi aty vetëm në fillim të shtatorit.

Me këtë fitore skuadra e tij, Lokomotiva, ngjitet në vendin e tretë të klasifikimit në ligën kroate me 22 pikë, pesë më pak se kryesuesit e Dinamos.