Capello bën skanerin e Inter-Milan, ky është parashikimi i trajnerit të madh

Fabio Capello ka krahasuar Mauro Icardin me Gabriel Batistutën dhe parashikon se vendosmëria dhe motivacioni do të jenë vendimtarë për derbin Inter-Milan.

Ndeshja e madhe e së dielës do të jetë një sfidë mes mbrojtjes së tretë më të mirë ndaj sulmit të tretë më të mirë.

“Duke parë këto statistika të shkon mendja se ndeshja mund të dalë barazim,” shprehet Capello për “Il Giorno”.

“Kuqezinjtë kishin disa vështirësi në prapavijë dhe Interi është shumë i rrezikshëm në sulm. Milan duhet të tregohet shumë i kujdesshëm.

Asnjëherë nuk mund të bësh parashikime në derbi, pasi ndeshja është ndryshe nga të tjerat dhe ka një atmosferë të veçantë. Statistikat nuk janë të rëndësishme, vendosmëria dhe motivimi po”.

Por cilin do të preferonte për të punuar Capello, Higuain apo Icardin?

“E njoh shumë mirë Gonzalon që nga kohët e Real Madridit. Ai atëherë kishte nevojë të rritej, por duket që ka punuar shumë dhe është kthyer në një nga më të mirët.

Icardi më kujton Batistutën, ai nuk merr shumë pjesë në ndërtimin e aksioneve, por është një vrasës brenda zonës”, deklaroi Capello.