Është pranë shkarkimit nga Real Madridi, por ja çfarë thotë Lopetegui

Vazhdon makthi i Julen Lopeteguit në pankinën e Real Madridit, me shkarkimin e tij që bëhet gjithnjë e më i mundshëm orë pas ore.

Në mediat spanjolle ka filluar që tani të qarkullojë emri i zëvendësuesit të mundshëm, pasi të gjithë janë thuajse të sigurt se Florentino Perez do të ndërpresë bashkëpunimin me ish-trajnerin e Spanjës pas humbjes 2-1 ndaj Levantes.

Por vetë Lopetegui nuk e mendon faktin se mund të shkarkohet që sot.

“Kjo është gjëja e fundit që po mendoj për momentin. Ajo që dua është të ngre moralisht skuadrën dhe ta përgatit para ndeshjes së ardhshme që luhet vetëm pas tre ditësh”, tha ai në sallën e konferencave pas sfidës.

Problemi kryesor i Realit në këto momente duket se është mungesa e golit, por Loptegui insiston se gjithçka është bërë mirë nga skuadra.

“Kemi bërë gjithçka që duhej. Por ndodhën gjëra të çuditshme dhe futbolli i ka këto. Kemi sulmuar shumë dhe mirë, kemi gjuajtur 30 herë në portë”, u justifikua ai.

Por për mediat spanjolle, justifikimet e tij nuk do të shërbejnë shumë, pasi Perez është bërë gati ta largojë.

Emri i zëvendësuesit më të mundshëm është ai i Santiago Solarit, trajnerit të ekipit të dytë, Kastijas.