Kukësi rikthehet te fitorja, Cungu: Mund ta thellonim rezultatin

Pas dy humbjeve radhazi, Kukësi u rikthye te fitorja, duke përmbysur dizavantazhin e pjesës së parë ndaj Kastriotit në 2-1, rezultat ky që i jep qetësi skuadrës dhe trajnerit Cungu.

Në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, tekniku shkodran i Kukësit vlerësoi marrjen e 3 pikëve, por pranoi vështirësitë prej terrenit të rënduar.

Fitore e vuajtur, por që “ngroh” sepse vjen pas dy humbjeve. A ishte kjo përgjigja që prisnit?

Ishte përgjigje, sepse arritëm ta përmbysin rezultatin. Nuk prisja atë 45-minutësh të parë, ku u treguam shumë të lehtë ose xhentilë, ndërkohë që kundërshtari ishte agresiv dhe fitonte pothuajse çdo top. Pjesa e dytë foli për ne, por dua të them, që edhe mund ta humbnim ndeshjen, ashtu si edhe mund të shënonim më shumë. Nuk kam fjalën te penalltia, megjithatë mund ta kishim edhe më të thellë rezultatin.

Përmendët pasigurinë, mos vjen nga dy humbjet?

Është normale, pasi Kukësi është ekip që duhet të jetë në krye të tabelës. Fitorja ishte oksigjen për ne, por mund të them se edhe terreni i fushës linte shumë për të dëshiruar. Bëhej fjalë vetëm për luftë sportive dhe jo për të luajtur futboll. Të tilla ndeshje i fiton skuadra që fiton dyluftimet, jo ajo që di të luajë bukur.

Luajtët mirë me Partizanin, por dolët pa pikë. Mos ndoshta janë më të rëndësishme pikët?

Pikët janë ato që vlejnë, dhe ai ekip që çon topin në portën e kundërshtarit, fiton. Unë s’kam qenë i kënaqur me rezultatet në dy takimet e fundit, por më ka ngrohur angazhimi dhe loja që ka zhvilluar skuadra.

Ndeshjet e fundit keni pësuar gol në qendër. A është kjo një pikë e dobët e Kukësit?

Nuk mendoj se është problem i një reparti. Për sa i përket fazës kur humbim topin, mesi i fushës duhet të ngushtojë repartet me njëri-tjetrin. Rrumbullaku bëri zgjidhje të sforcuar te goli, por duhet ta bënte mesfushori.