Zbarkimi i furgonin me refugjatë në Itali, Salvini nuk pranon faljen e Francës

Përshkallëzohet debati mes Italisë dhe Francës pas ngjarjes së pak ditëve më parë, ku një furgon i xhandarmërsië franceze "shkarkoi" disa emigrantë afrikanë në një zonë pyjore të tokës italiane në kufi me Francën.

Pas denoncimit të bërë nga Ministria e Brendshme Italiane, Franca ka pranuar faktin duke kërkuar falje me justifikimin se policiët francezë që kanë kryer këtë akt ishin pa eksperiencë.

Por reagimi i Italisë ka qënë mjaft i fortë. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, refuzon të pranojë faljen e Francës.

"Të braktisësh emigrantë në një pyll italian nuk mund të konsiderohet një gabim apo një aksident", ka deklaruar publikisht Salvini.

"Ajo çka ka ndodhur në territorin italian të komunës Clavier është një fyerje e pa precedent ndaj vendit tonë", tha Salvini.

Ministri shtoi më tej: "Pyes, tha ai, sesi organizmat ndërkombëtare nga OKB e Europa, nuk prononcohen ndaj këtij fakti e nuk e shohin kaq të turpshme braktisjen e emigrantëve në një zonë të izoluar.Jemi përballë një turpi ndërkombëtar dhe zoti Macron nuk mund të hiqet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Italia refuzon kërkesën e faljes nga Franca. Kush ishin këta emigrantë që solli Franca? Nga kanë ardhur? Pse u braktisën?"

Kjo çëshjte u mor në diskutim dhe në mbledhjen e senatit italian ku kryeministri Giuseppe Conte gjatë interpelancës së tij deklaroi se "Italia pretendon një ndarje të barabartë të përgjegjësisë europiane në çështjen e emigrantëve dhe se nuk do të pranojë më asnjë zgjedhje të paqartë për lëvizjen dytësore të emigrantëve brenda territorit të BE, të propozuar nga disa vende anëtare."

Ndërkohë Franca replikon duke i kërkuar Italisë të mos instrumentalizojë ngjarjen në kufirin Clavier, por mediat italiane kanë dokumentuar fakte të reja se nuk është hera e parë që Franca bën një veprim të tillë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme italiane, nga janari i 2018 e deri më sot janë mbi 48 mijë emigrantë të kthyer pas nga Franca në kufirin italo-francez.