As Shpresat s’e harrojnë zakonin, pësojnë gol në fund me Estoninë

Shqipëria e mbylli me një barazim fushatën kualifikuese për Europianin e U-21, në Grupin B.

Ndaj Estonisë, kuqezinjtë e mbyllën me shifrat 2-2 në transfertë, teksa u barazuan vetëm në sekondat e fundit.

Taulant Seferi (Sulejmanov) kaloi në avantazh ekipin e Alban Bushit në të 12-tën, pas një inkursioni të shpejtë nga e majta, por Estonia barazoi me Livak në minutën e 32-të.

Në fund të pjesës së parë, i njëjti futbollist gaboi nga pika e bardhë për vendasit, pas një 11-metërshi të dyshimtë të akorduar nga gjyqtari.

Në të dytën, loja ishte e barabartë, dhe Kastrati sa herë u thirr në detyrë, u tregua i gatshëm.

Në minutën e 69-të, ishte përsëri Seferi, që me një të djathtë nga brenda zone nuk gaboi, dhe çoi përsëri në avantazh Shpresat.

Teksa gjithçka po shkonte drejt mbylljes së kësaj fushate me një fitore në transfertë, erdhi përsëri goli i Livak, në minutat e fundit, zakon për këtë Kombëtare të pësojë në fund tashmë, dhe ndeshja u mbyll në shifrat 2-2.