VIDEO/ Kombëtarja U-19 pëson humbjen e tretë, asnjë pikë, asnjë gol në eliminatore

Kombëtarja shqiptare U-19 mbylli sot fushatën eliminatore të “Elite Round” me ndeshjen e luajtur në “Niko Dovana” ndaj Norvegjisë.

Skuadra e drejtuar nga Erjon Bogdani kishte shanse minimale për t’u kualifikuar, po kërkonte të mbyllte me fitore këtë edicion, pasi ishte mposhtur më herët nga Ukraina dhe Sllovakia.

Gjithsesi mjaftoi një gabim i qendërmbrojtësit të Skënderbeut, Enes Isufi në minutën e 31-të të pjesës së parë, që kuqezinjtë të mposhteshin minimalisht 0-1 ndaj nordikëve.

Në minutat në vijim, kuqezinjtë e Bogdanit tentuan të rikthejnë baraspeshën, por nuk ia dolën të shënojnë gol në portën e norvegjezëve, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar.

Kështu kuqezinjtë mbyllën fushatën eliminatore të “Elite Round” me 3 humbje në po kaq ndeshje, ndërsa statistikat bëhen edhe më negative, kur llogarit që Kombëtarja U-19 ka pësuar 5 gola dhe nuk ka shënuar asnjë.