Brazil-Argjentinë, ja si vijnë dy përfaqësueset në ‘betejën’ e përjetshme

Brazili dhe Argjentina kanë fituar respektivisht ndaj Arabisë Saudite dhe Irakut në ndeshjet e para të këtij “turneu miqësor”.

Ndërsa këtë të martë, në Jedah, Arabi Saudite, dy rivalët e përjetshëm do të përballen për “Superclasico-n” numër 109-të të Amerikës së Jugut.

“Seleçao” do të paraqitet në këtë ndeshje me vetëm një humbje të pësuar në 19 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet (14 fitore, 4 barazime, 1 humbje).

Është interesant fakti se pesë nga gjashtë fitoret e fundit të Brazilit janë mbyllur me rezultatin 2-0.

Argjentina ka zhgënjyer në Kupën e Botës, duke marrë vetëm një fitore në katër ndeshjet e luajtura atje (1 fitore, 1 barazim, 2 humbje).

Akoma më keq për Argjentinën, ecuria e përballjeve direkte me Brazilin në ndeshjet e zhvilluara në fushë neutrale është në favor të Neymar me shokë: 9 fitore, 6 barazime, 5 humbje.

Ndërkohë, skuadra që mund ta fitojë këtë sfidë ka shumë mundësi të mos pësojë gol.

Në fakt, vetëm një skuadër ka arritur të shënojë në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit të Brazilit dhe katër nga gjashtë të fundit të Argjentinës, ndërsa në tri nga katër përballjet e fundit mes këtyre dy përfaqësuese vetëm një nga ekipet ka shënuar.

Një nga protagonistët e kësaj sfide pritet të jetë Neymar, i cili ka qenë i përfshirë në shtatë nga tetë golat e fundit të shënuar nga brazilianët (6 asiste, 1 gol).

Nga ana tjetër, duke parë se Leo Messi nuk është pjesë e kombëtares, Giovanni Simeone mund të ketë shansin të tregojë vlerat e tij pas 14 golave të shënuar në sezonin e kaluar të Serisë A.