Rama e Thaçi nuk tërhiqen nga ndarja e Kosovës. E konfirmon ministri i Jashtëm

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka komentuar temën më të përfolur të kohëve të fundit – idenë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Pacolli ka thënë se serbët nuk do te leshojne territoret e tyre.

Sipas ministrit të Kosoves, ideja e ndarjes së Kosovës eshte diskutuar nga Edi Rama e Hashim Thaçi në Armeni, pak dite me pare.

“Serbët nuk do ta mbështesin për arsye se serbët kanë synime të tjera në Kosovë dhe nuk do ta mbështesin këtë ide. Në njërën anë, janë këto dëshira ose ideja e Thaçit që çdo ditë e më tepër po has në mirëkuptim dhe nga ana tjetër, Serbia që ka folur njëherë për ndërrim të territoreve dhe tash po duket se është tërhequr pak”, shpjegoi Pacolli.

Zëvendëskryeministri i parë ka bërë të ditur se në muajin nëntor në Francë do të ketë një takim trilateral mes tre homologëve – presidentit të Kosovës, atij të Serbisë dhe Francës.

“E di se do të ketë takim në Francë në muajin nëntor, mes Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiqit, si dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe do të diskutohet kjo për shkak se edhe gjatë takimit që pati presidenti Hashim Thaçi me Emmanuel Macron, në Samitin e Frankofonisë, është diskutuar një gjë e tillë”, tregoi Pacolli. 

“Vet presidenti [Emmanuel Macron] thotë ecni përpara, mos pushoni. Bashkësia Ndërkombëtare nuk mund të durojë një problem të pazgjidhur në Ballkan dhe Evropë dhe ju inkurajoj ecni përpara. Ai na ka thënë bisedoni dhe ecni përpara, keni mbështetjen e Francës”, theksoi ai.