Raiola arrin marrëveshjen e bujshme, Pogba do transferohet te gjiganti europian

Superylli i Manchester United, Paul Pogba, raportohet të jetë shumë pranë transferimit te Barcelona, pasi menaxheri i francezit, Mino Raiola, arriti marrëveshjen në parim me kampionët në fuqi të Spanjës.

Në mes të një sezoni shumë të tensionuar, gati të dështuar tek United, Pogba përflitet për transferimin nga Manchester në Katalonjë.

Francezi ishte pranë transferimit të bujshëm që gjatë merkatos së verës, por United nuk pranoi të privohej nga lojtari i çmuar.

Gjithsesi, dëshira e Pogba për tu larguar nga “Old Trafford” mbetet e palëkundur, madje është përforcuar si pasojë e konflikteve ndërmjet lojtarit dhe trajnerit portugez Jose Mourinho.

Fituesi i Kupës së Botës u privua nga titulli i zëvendëskapitenit si pasojë e deklaratave të bëra nga 25-vjeçari pas barazimit në shtëpi ndaj Wolves.

Gjërat madje u përkeqësuan pas eliminimit shokues të United nga Carabao Cup, kur bëri bujë një video ku shfaqej Pogba duke u konfrontuar me Mourinhon.

Tashmë, referuar raportimeve nga “Rai Sport”, menaxheri i Pogba, Mino Raiola, ka siguruar marrëveshjen në parim me gjigantët katalanas.