Ardian Mema flet për herë të parë si trajner i Tiranës: I vetëm s’i zgjidh dot problemet

Ardian Mema ka folur sot për herë të parë për mediat si trajner i Tiranës. Në prononcimin e tij për gazetarët, 48-vjeçari ka treguan për gjendjen se si e ka gjetur ai skuadrën dhe për atë çfarë ai kërkon të ndryshojë tek bardheblutë.

Tekniku kryeqytetas është i mendimit se lojtarët duhet të njohin historinë e Tiranës dhe se ai do të përpiqet për të futur një frymë tjetër në këtë skuadër.

“Tirana është klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub. Me thënë të drejtën e prita pak me skepticizëm për shkak se situata që po kalonte nuk ishte fort e këndshme. Të them të drejtën është shumë kalendar i vështirë. Kemi 3 ndeshje jashtë. Me gjithë atë i gjithë grupi bashkë do ta lerë pas këtë situatë”, tha fillimisht pasardhësi i Ze Marias në stolin bardheblu.

Çfarë mund të ndryshoni te Tirana?

M’u desh vetëm 10 minuta për të kuptuar anën psikologjike të lojtarëve. Që të premten që u ktheva nga Vlora erdha direkt në stërvitje. Lojtarët janë në një gjendje jo të mirë psikologjike. Na mbetet për detyrë të punojmë në këtë drejtim. Kam folur gjatë me sportistët këto 2 ditë dhe më kanë mjaftuar për të mësuar të gjithë problematikën çfarë ka nga brenda. Këtë problem nuk e kaloj dot vetëm. Të gjithë së bashku mund ta kalojmë. Duhet të fus frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira. Shpresoj që ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë se periudha që po kalon. Kjo nuk bëhet as me deklarata për shtyp dhe as me fjalë ndaj sportistëve. Duhet të ulim kokën dhe të punojmë të gjithë së bashku për të arritur rezultatet që janë të pritshme nga opinioni publik. Janë njerëz shumë sensibël. Duan të shohin ekipi në 4-shen e parë. Kjo arrihet vetëm duke ulur kokën dhe duke punuar të gjithë së bashku.

Ju jeni pjesë e dinastisë Mema, safi bardheblu,  por si ju duket kjo Tiranë, me shumë lojtar të huaj në përbërje?

Unë jam i përgjegjshëm për çfarë po më pyesni se kam qenë pjesë e këtij klubi dhe e di shumë mirë. Kam lidhje shpirtërore të themi. Këtë ide do të transmetoj te lojtarët. Këto janë ide shumë të mira që grupi të ketë një lloj motivimi. Lojtarët duhet të dinë të paktën historinë e klubit të Tiranës. Do mundohemi të fusim frymë të mirë në ekip sepse kjo është shumë e rëndësishme. Koha është  e pamjaftueshme, unë thjesht do të shfrytëzoj rastin për të futur frymën në ekip.