Tirana pret edicionin e dytë të kampionatit 'Survivor Games'

Bashkia e Tiranës do të nisë projektin e ndërtimit të terreneve sportive në çdo lagje, pas edicionit të dytë të kampionatit “Survivor Games” në Parkun e Liqenit Artificial, një event outdoor që promovon jetesën aktive në natyrë dhe ku ishte i pranishëm kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Dikur kjo ishte një pellgaqe, por duke transformuar atë, sigurojmë një mjedis cilësor, të sigurt, të mbrojtur, të shëndetshëm për të ushtruar sport, për të mos pasur makina vërdallë dhe për t’i rritur vlerën kësaj hapësire. Por, një ndër gjërat që duam të bëjmë është ta çojmë këtë projekt në çdo lagje, njësoj siç bëmë me projektin e këndeve të lojrave,” tha Veliaj.

Duke u ndalur tek kampionati i “Survivor Games”, Veliaj vlerësoi rritjen e numrit të pjesëmarrësve dhe garën sportive mes skuadrave. “Survivor Games” organizohet nga Repeat Fitness & Wellness Club në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Ajo është një garë e bazuar në forcën dhe fuqinë përmes stërvitjes së Cross training dhe ku marrin pjesë 16 skuadra me nga 4 persona.