A duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor? Si dhe kur?

A duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare?

Partitë kryesore janë shprehur gjithnjë të gatshme për të bërë ndryshimet e kërkuara pa përjashtuara edhe shprehjen e kërkesave të tyre për ndryshme që çojnë në zvogëlim të parlamentit, për zgjedhje me zona një emërore, apo korrigjime të sistemit aktual.

Partitë e vogla parlamentare dhe ato jashtë-parlamentare kanë bërë kërkesa të ndryshme por në thelb kërkojnë një sistem zgjedhor që rrit prezencën në parlament apo i jep mundësi atyre jashtë parlamentit të futen në parlament.

Qytetarët kërkojnë sistem zgjedhor që ti caktojnë vetë deputetët për të mos u ndodhur përballë ofertave të partive pa mundur të kenë zgjedhjen e tyre.

Ky është realiteti edhe në këto momente ndonëse këto kërkesa e mendime qarkullojnë prej kohësh… Dhe asgjë nuk ndryshon..Për më tepër nuk ka ende një përgjigje edhe në rastin kur do të kishte një ndryshim por as edhe për rastin që vendimi është për të ndryshuar asgjë…

Ato që kanë mundësi të ndryshojnë me vota sistemin zgjedhor kanë preferuar të heshtin dhe vendimin e tyre për ndryshimin apo mosndryshimin e sistemit zgjedhor ta shprehin përmes heshtjes…apo më saktë statukuoja është bërë pjesë e taktikave partiake…

Pavarësisht kësaj pyetja: a duhet të ndryshojë apo mosndryshojë sistemi zgjedhor do të duhet të merrte një përgjigje ezauruese … Ndoshta jo tani por më vonë…

Por nga ana tjetër duhet pasur parasysh se…

Blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve ka ndodhur edhe në zgjedhjet e përgjithshme edhe në zgjedhjet vendore të organizuara pas vitit 2013, vlerësime të shprehura këto në raportet e OSBE/ODHIR…

Pra blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve, apo thënë më shkurt tjetërsimi i rezultatit zgjedhor, por mbi të gjitha profili apo cilësia e ‘individëve të zgjedhor’ qoftë në pushtetin vendor, qoftë në parlamentin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar, edhe kur kandidatët kanë konkurruar me lista të mbyllura sipas një sistemi propocional në zgjedhjet parlamentare por edhe kur kandidatët kanë konkurruar si individë sipas një sistemi të pastër mazhoritar në zgjedhjet për kryetar të bashkive.

Thënë më shkoqur, kriminelë ka edhe në parlament edhe në krye të pushtetit vendor. Të korruptuar ka edhe në parlament edhe në krye të bashkive. Të paaftë dhe me diploma false ka edhe në parlament edhe në krye të pushtetit vendor…

Fatkeqësisht në Shqipëri, në të dy rastet, pra edhe në zgjedhjet vendore edhe në ato parlamentare, pas vitit 2013 është organizuar me perfeksion edhe blerja e votave me paratë e pista të korrupsionit e të trafiqeve edhe kërcënimi i votuesve nga individët me rekorde kriminale apo të lidhur me klanet e familjet mafioze.

Thënë shkurt e qartë: manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri, nga mënyra sesi është ideuar dhe realizuar, veçanërisht pas 2013, është invariante nga sistemi zgjedhor.

Kjo do të thotë ndryshe se cilido që të ishte sistemi zgjedhor, proporcional, mazhoritar apo miks, me lista të hapura apo të mbyllura, rajonal apo kombëtar, me korrigjim kombëtar apo lista kombëtare, me d’Hondt apo Saint Laguerre, e tjerë e tjerë, nuk do të mund të zgjidhej halli i madh që e ka zënë këtë vend me blerjen e votave apo kërcënimin e votuesve nga një bandë të korruptuarish dhe të kriminelësh që pasi kanë marrë pushtetin dhe po pasurohen në mënyrë të paligjshme nuk duan apo kanë frikë ta lënë pushtetin dhe bëjnë gjithçka për ta mbajtur atë me çdo kusht e me çdo mjet.

 

Demokraci është çështje vullneti dhe respektimi të rregullave të lojës me korrektësi e ndershmëri nga të gjithë palët.

Edhe Kodi aktual zgjedhor, ai i mëparshmi apo një tjetër i ardhshëm, i ndryshëm nga ky aktuali do të mund të ishin të suksesshëm nëse do të kishte pasur një minimum dëshire për ta zbatuar ato me vullnet të mirë dhe korrektësi.

Prandaj marrin prioritet kërkesat për zbatim korrekt të sistemit zgjedhor se ato për ndryshimin e tij.

Thënë ndryshe, palët duhet të shprehin vullnetin të qartë për një konkurrim të barabartë në zgjedhje, për një betejë e fushatë elektorale të ndershme dhe një rezultat zgjedhor që përputhet me vullnetin e votuesve. Këto kërkesa është e vështirë të kuantifikohen me ligj apo më teknologji, qoftë edhe të sofistikuar, nëse nuk ka vullnet të palëve.

Pra, edhe nëse Ndryshimi i Sistemit Zgjedhor do të përbënte një kusht të nevojshëm ai nuk do të ishte i mjaftueshëm për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe garantuar një rezultat zgjedhor të gjithë pranuar nëse nuk ka vullnet për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Sepse me një qeveri oligarkike, dhe të të lidhur ngushtë me kriminelët e trafikantët as ka pasur dhe as nuk do të mund të këtë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ky duket si një rreth vicioz por në thelb kjo është sfida kryesore e të gjithë atyre që kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme, pra që kërkojnë një parlament e pushtet vendor dinjitoz, me individë të aftë e me integritet, para se të mendojnë, kërkojnë apo luftojnë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor do të ishte shumë i lehtë nëse do të kjo sfidë do të gjente përgjigje.