OSBE në Shkodër: Konstatuam mangësi në luftën kundër kanabisit

Dy prej qarqeve më problematike për kanabisin Shkodra dhe Vlora janë thirrur në një takim të përbashkët nga prezenca e OSBE në Shqipëri. Mbledhja u zhvillua në kryeqendrën e veriut. Drejtoresha në detyrë e OSBE Katerine Kristesashvili u shpreh se institucionet vendore kanë pasur mangësi në luftën kundër kanabisit.

“Mangësia e njohurive nëpërmjet komuniteteve vendore dhe bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional janë renditur, ndërsa sfidat më të mëdha për luftën ndaj këtij fenomeni. Për të adresuar këtë mangësi prezenca e OSBE ka ndihmuar Task Forcën e Shkodrës dhe Vlorës në 2018 me zbatimin e ndërgjegjësimit kundër kanabisit dhe ngritjen e planeve vendore rajonale”, u shpreh Katerine Kristesashvill, Drejtore e OSBE.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, tha se ka qenë mosbesuese ndaj policisë dhe pavarësisht rezultateve të arritura ka ende probleme.

“Ballafaqimi jonë ka qenë shumë i dhimbshëm edhe me drejtuesit e policisë. Është sigurisht ndërtimi i besueshmërisë jo vetëm me institucionet, por sidomos për njerëzit, është pikë kyçe për suksesin. Unë jam shumë e sigurt që po të kishim atë drejtorin e policisë që ishte z. Alban Çela, se më pëlqen me i thënë dhe emrin, ne do të kishim një shifër në rritje, ashtu siç ishte deri në vitin 2016 edhe në Shkodër. Pavarësisht përpjekjeve që do të kishte edhe prefekti, OSBE-ja e me radhë”, tha Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër.

Ky takim i organizuar nga OSBE do të vijojë edhe në zona të tjera në Malësinë e Madhe për të qenë sa më pranë komuniteteve në luftën kundër drogës.