OSBE të shqetësuar për kanabisin, takime drejtuesit vendorë në Shkodër e Vlorë: Ka mangësi

Dy prej qarqeve më problematike për kanabisin Shkodra dhe Vlora janë thirrur në një takim të përbashkët nga prezenca e OSBE në Shqipëri, takim ky që u zhvillua në Shkodër. Drejtorja në detyrë e OSBE Katerine Kristesashvili u shpreh se institucionet vendore kanë patur mangësi të njohurive për të luftuar kultivimin e kanabisit ndërsa tha se duhet të kontribuojnë në zhdukjen e qëndrueshme të kanabisit.

“Mangësia e njohurive në komunitetet vendore si dhe bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional janë renditur si mangësitë më të mëdha për luftën ndaj këtij fenomeni. Për të adresuar këto mangësi OSBE ka ndihmuar Shkodrën dhe Vlorën në 2018. Është e rëndësishme që përfaqësuesit e Task Forcës të analizojnë në mënyrë të përbashkët rezultatet e dala dhe të kontribuojnë në zhdukjen e qëndrueshme të kultivimit të drogës” tha  Kristesashvili.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se ka qenë mosbesuese ndaj policisë ndërsa u shpreh se pavarësisht rezultateve pozitive në 2018-ën ende ka probleme. I pranishëm në takim Drejtori i policisë Shkodër, Vehbi Bushati e quajti 2018-ën si rezultati më i mirë në 20 vite në luftën antikanabis.

Takimet e OSBE do vijojnë edhe në zona të tjera të qarkut Shkodër me qëllim arritjen e rezultateve në luftën antikanabis.