Cungu merr një lajm të mirë, rikthim i rëndësishëm ndaj Kastriotit

Pushimi një javor i Kategorisë Superiore për shkak të Kombëtares, i ka bërë mirë ekipeve për të pushuar dhe për të pasur të gatshëm disa futbollistë për javët në vazhdim. Kukësi është ndër ekipet që ka përfituar më shumë nga ky pushim, duke qenë se nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, pasi ka humbur dy takimet e fundit.

Ky pushim, mund t’i ndihmojë të besuarit e Cungut që të kalojnë këtë moment, të paktën në aspektin psikologjik. Menjëherë pas pushimeve, Kukësi do të ketë përballë Kastriotin, ndërkohë që në këtë takim, ka edhe një rikthim të rëndësishëm.

Mbrojtësi Simon Rrumbullaku duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer me skuadrën duke u stërvitur në mënyrë instensive me pjesën tjetër të skuadrës. Duke ditur cilësitë e mbrojtësit, Armando Cungu ka një armë më shumë në arritjen e objektivave dhe pritet që t’i japë minuta që në takimin e parë në mënyrë që të arrijë formën më të mirë.